Skuadra e Llapit është në seri prej katër ndeshjeve pa disfatë. Humbjen e vetme në elitën e futbollit të Kosovës e ka në xhiron e parë ndaj Dritës. Më pas ka arritur tri fitore dhe ka barazuar në një ndeshje tjetër. Llapi kryeson në tabelë me 10 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e dytë me një ndeshje më pak të luajtur.
Pavarësisht pozitës së parë, trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina, ka kërkuar qasje serioze ndaj Gjilanit, që është në konsolidim e sipër.
Ndeshja në mes Llapit dhe Gjilanit zhvillohet të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe nis në orën 15:00. I takon xhiros së gjashtë të Superligës.
“Ne jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e vështirë. Përballë kemi një kundërshtar shumë të papërshtatshëm. Megjithatë, ne do të jemi të kujdesshëm. Duhet ta bëjmë maksimumin si skuadër dhe të marrim pikët e plota”, ka thënë të premten për KOHËN trajneri Batatina.
Batatina ka treguar edhe për punën e mirë që është bërë në skuadër.
“Besoj shumë në skuadrën që e drejtoj, sepse gjatë tërë javës djemtë kanë punuar shumë mirë dhe jemi shumë të motivuar për ta ngritur formën edhe më shumë. Besoj në kualitetin e futbollistëve dhe shpresoj që forma grupore dhe individuale do të rritet edhe më shumë, javë pas jave”, theksoi trajneri i Llapit.
Gjilani ka zhvilluar katër ndeshje, ndërsa ka një fitore, dy disfata e një barazim. Fitoren e arriti në xhiron e fundit. Mposhti Malishevën me rezultatin 1:0. Gjilani pati telashe në nisje të kampionatit në aspektin organizativ dhe atë financiar. Por telashet janë lënë prapa dhe fitorja ndaj malishevasve ka bërë që të rriten apetitet për të marrë pikë sa më shumë që është e mundur.
Se te Gjilani është një grup i ri i futbollistëve dhe se ende u duhet kohë për ambientim, e pranon edhe kapiteni i skuadrës Edison Kqiku.
Kqiku është nga të paktët lojtarë të Gjilanit që mbetën në skuadër pas largimit të thuajse tërë ekipit të parë në verë shkaku i telasheve financiare.
“Jemi një grup i ri i futbollistëve dhe gradualisht po njihemi dhe po ambientohemi me njëri-tjetrin. Fitorja ndaj Malishevës na jep besim të madh për vazhdimin e kampionatit. Kemi pasur paraqitje të mirë edhe ndaj Ballkanit, pavarësisht disfatës”, është shprehur Kqiku. Ai e vlerësoi të vështirë udhëtimin te Llapi.
“Ndeshja me Llapin do të jetë e vështirë pasi që njohim cilësitë që kanë lojtarët e kësaj skuadre, për më tepër që kemi luajtur së bashku me shumë prej tyre. Ne do të udhëtojmë të marrim rezultat pozitiv dhe me ndihmën e tifozëve besoj që do t’ia dalim”, ka deklaruar Kqiku.
Të shtunën do të luhet edhe ndeshja në mes Dukagjinit dhe Fushë Kosovës.
Dukagjini në “18 Qershori” do të mundohet t’i marrë pikët e plota, pasi nuk e ka nisur mirë edicionin. Ka vetëm tri pikë, dy më shumë se Fushë Kosova, që është e fundit në tabelë.
Superliga - VI
E shtunë (15:00)
Dukagjini – Fushë Kosova
Llapi – Gjilani
E diel (15:00)
Drita – Prishtina
Liria – Feronikeli
Ballkani - Malisheva
1. Llapi 5 3 1 1 8:3 10
2. Ballkani 4 3 1 0 6:2 10
3. Malisheva 5 3 0 2 12:6 9
4. Prishtina 5 2 3 0 7:3 9
5. Drita 4 1 3 0 5:3 6
6. Liria 5 1 3 1 3:3 6
7. Gjilani 4 1 1 2 2:3 4
8. Dukagjini 5 0 3 2 3:7 3
9. Feronikeli ’74 5 1 0 4 3:12 3
10. Fushë Kosova 4 0 1 3 4:11 1