Sport

Llapi fiton me një tjetër gol të Hysenit

Skuadra e Llapit ka fituar me një tjetër kontribut të sulmuesit Muhamet Hyseni.

Llapi të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, fitoi ndaj Feronikelit 74 me rezultatin 1:0. Ndeshja i ka takuar xhiros së 23-të të Superligës.

Golin e vetëm në këtë ballafaqim e shënoi sulmuesi Hyseni, në minutën e 68-të të ndeshjes. Për Hysenin ishte goli i 17-të i edicionit aktual.

Për Llapin është fitorja e katërt në stinorin pranveror, ndërsa e ka edhe një barazim me Prishtinën në xhiron e kaluar.

Feronikeli 74 e pësoi humbjen e tretë, ndërsa ka edhe dy barazime në nisje të stinorit pranveror të Superligës.

Llapi është i dyti në tabelë me 47 pikë, një më pak se Ballkani lider.

Drita e treta ka 43 pikë. Ndërkohë, Feronikeli 74 mbetet me 23 pikë në vendin e shtatë.

Llapi e Feronikeli 74 janë eliminuar nga Kupa e Kosovës dhe nuk do të kenë ndeshje në mesjavë.

Por në fundjavën e ardhshme, Feronikeli 74 luan në udhëtim te Liria, kurse Llapi e pret Gjilanin.