Skuadra e Llapit po synon që fitoren e parë në stinorin pranveror ta regjistrojë në ndeshjen derbi kundër Gjilanit, që luhet të dielën prej orës 13:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Llapi në këtë takim futet pas humbjes minimale 1:0, që e pësoi të hënën kundër Dritës në udhëtim, derisa Gjilani luajti 1:1 në udhëtim kundër Feronikelit.
Llapi është i teti në tabelë me 20 pikë, dhjetë më pak se Gjilani që renditet i katërti. Trajneri Tahir Batatina ka thënë të premten se beson në fitore.
“Kemi përballë Gjilanin, një ekip me lojtarë shumë cilësorë dhe që nuk meriton të jetë në pozitën aktuale në tabelë. Jemi përgatitur dhe do të futemi për fitore në këtë ndeshje, me një angazhim maksimal. Edhe pse përballë kemi një ekip milionësh, asgjë nuk na ndalon që ta kërkojmë fitoren”, ka thënë Batatina.
Ndërkohë, mesfushori i Gjilanit, Muhamed Useini, ka thënë se ka ardhur koha që ekipi t’u kthehet fitoreve pas barazimit në ndeshjen e fundit në kampionat dhe pas eliminimit në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës.
“Presim një ndeshje të vështirë pasi përballemi me një ekip të fortë si Llapi. Gjilani në çdo ndeshje futet për fitore. Do ta japim më të mirën nga vetja për një rezultat pozitiv”, theksoi Useini.
Të dielën zhvillohet edhe ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit, që luhet në stadiumin e Suharekës. Ndërsa të shtunën, prej orës 13:00, do të zhvillohen dy takime të tjera të xhiros së 20-të: Drita – Trepça ’89 dhe Drenica – Besa.