Sport

Llapi e Dukagjini kërkojnë pikë pas humbjeve në xhiron e parë

Llapi u mposht në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës nga Drita në udhëtim. Humbje në nisje të kampionatit të ri në elitën e futbollit kosovar fundjavën e kaluar, pësoi edhe Dukagjini në shtëpi nga Malisheva. Këto dy skuadra do të takohen mes vete të dielën dhe kërkojnë pikët e para. Llapi – Dukagjini zhvillohet të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe nis në orën 17:00.

Njëri prej lojtarëve më premtues te skuadra që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina, Ilir Krasniqi, e ka pranuar se do të jetë kampionat i vështirë.

Por ai shpreson që nisjen e mbarë të garës sivjet, Llapi ta ketë që në duelin kundër Dukagjinit.

“Presim një kampionat të vështirë duke pasur parasysh se kemi disa skuadra të organizuara mjaftë mirë. Ndeshja e parë ishte e vështirë pasi luajtëm kundër një skuadre si Drita. Por ishte vetëm ndeshja e parë”, ka thënë Krasniqi të premten për KOHËN.

Krasniqi, që mund të luajë në pozitën e qendërmbrojtësit dhe mesfushorit defanziv, ka dhënë sinjal për kundërshtarët se Llapi në këtë edicion do të jetë vështirë për t’u mundur. Por ndaj Dukagjinit, theksoi se nuk do të jetë ndeshje e lehtë.

“Ndeshja ndaj Dukagjinit nuk do të jetë aspak e lehtë. Por ne do të luajmë në Podujevë, para tifozëve tonë. Në arenën tonë gjithmonë kërkojmë pikët maksimale, ndaj çdo kundërshtari”, deklaroi Krasniqi.

Llapi përballë do ta ketë Dukagjinin, që me trajnerin Armend Dallku shkroi historinë në garat evropiane.

Në debutim në skenën evropiane, Dukagjini arriti ta kalojë një kundërshtar.

E eliminoi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës skuadrën e FC Europas së Gjibraltarit.

Më pas u eliminua nga Rijeka kroate.

Te skuadra nga Klina janë bërë disa ndryshime, por pavarësisht kësaj, kapiteni i ekipit, qendërmbrojtësi Elton Basriu, pret përgjigje pozitive nga bashkëlojtarët për duelin ndaj Llapit.

“Po, është e vërtetë që Llapi ka bërë një ekip shumë të mirë. Por ne do të shkojmë te kjo skuadër me synimin për ta dhënë më të mirën. Kërkojmë që të kthehemi me rezultat pozitiv. Normalisht se ndeshja e parë e kampionatit gjithmonë është e vështirë. Kemi pasur edhe mungesa, por urojmë që të mos kemi lëndime për duelet e radhës dhe të arrijmë sa më shumë suksese”, është shprehur Basriu.

Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” pësoi disfatë 1:0 nga Malisheva në xhiron e parë, kurse Llapi në udhëtim te Drita u mposht me rezultatin 2:0.

Të dielën në program për t’u luajtur është edhe dueli në mes të kampionit në fuqi Ballkanit dhe Feronikelit ’74.

Ballkani e fitoi ndeshjen e parë kampionale në udhëtim te Liria, 1:0.

Skuadra nga Drenasi u mposht nga Prishtina 3:1.

Ballkani pas ndeshjes me Feronikelin ’74 që luhet të dielën po ashtu nga ora 17:00 në Suharekë, do të luajë në mesjavë me BATE Borisovin e Bjellorusisë në “Fadil Vokrri”.

Do të jetë ndeshja e parë e fazës së plejofit për Ligën e Konferencës.

Në rast se e kalon këtë kundërshtar, Ballkani do ta përsëritë suksesin e edicionit të kaluar, kalimin në fazën grupore të kësaj gare.

Xhiron e dytë e mbyll dueli mes Gjilanit dhe Prishtinës të hënën. Edhe ai ballafaqim zhvillohet nga ora 17:00 dhe do të luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan.