Sport

Llapi e Drita respektojnë njëri-tjetrin, por synojnë pikët e plota

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, dhe ai i Dritës, Ardian Nuhiu, kanë respektuar skuadrat e njëri-tjetrit para ndeshjes së madhe që luhet të dielën në Podujevë.

Ballafaqimi Llapi – Drita i takon xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe nis në orën 13:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Një numër i madh i tifozëve pritet të jenë të pranishëm në stadium.

Mbështetje të madhe nga shkallët e stadiumit për Llapin pret trajneri Batatina. Batatina ka thënë të shtunën për KOHËN se tifozët llapjanë do ta shikojnë skuadrën e tyre sërish lart në tabelë. Ai u shpreh se loja që po e bën Llapi nuk përkon me pikët e marra deri tani. Thotë se synon këndelljen që nga ndeshja me Dritën, skuadër që ka nëntë fitore, tri barazime e vetëm një disfatë në këtë edicion.

Llapi nuk është në pozitë të mirë në tabelë. Nga 12 ndeshje ka marrë vetëm 13 pikë. Edhe seria e tri ndeshjeve të fundit nuk është e mirë. Ka dy disfata e një barazim.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, por kam besim në skuadër. Jemi duke aplikuar lojë shumë të mirë dhe nuk është reale pozita ku jemi nëse shihen ndeshjet e fundit se si i kemi luajtur. Por, ky është futbolli. Ne presim mbështetje maksimale nga tifozët. Ekipi është i motivuar për fitore dhe për rezultat pozitiv. Kam besim në këta djem se përsëri do të jemi skuadër që do të jemi lart në tabelë dhe nuk do të mbesim përsëri pa trofe”, ka thënë Batatina një ditë para ndeshjes.

Në pesë ndeshjet e fundit mes vete, Llapi dhe Drita kanë marrë nga dy fitore, ndërsa një ndeshje është mbyllur baras. Llapi njërën prej atyre fitoreve e shënoi në finale të Kupës së Kosovës në edicionin e fundit.

Ndeshje të vështirë e ka vlerësuar udhëtimin në Podujevë trajneri i Dritës, Nuhiu. Tekniku shkupjan ka kërkuar nga lojtarët të jenë të përqendruar maksimalisht.

Drita aktualisht është lidere me 30 pikë në 13 ndeshje.

“Gjithmonë kemi zhvilluar ndeshje interesante ndaj Llapit, sepse kanë futbollistë cilësorë dhe për këtë kemi punuar gjatë javës për t’i eliminuar pikat e tyre të forta. Më pëlqen atmosfera tek ekipi. Kam besim të plotë te skuadra që nesër të bëjmë një ndeshje të mirë, por aspak të lehtë. Do të jetë përballje e fortë, që kërkon disiplinë dhe taktizime. Do të mundohemi që ato që i kemi përgatitur t’i nxjerrim në fushë për të marrë tri pikë që janë të rëndësishme për vazhdimësinë”, ka thënë të shtunën në konferencën për shtyp Nuhiu.

Në konferencën për shtyp të shtunën te Drita ishte edhe portieri Faton Maloku, i cili shpreson në fitore, por edhe në mbajtjen e portës së paprekur.

Të dielën luhet edhe ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit.

Ballkani – Prishtina është shtyrë për shkak të angazhimeve të ekipit nga Suhareka në Ligën e Konferencës.

Superliga – 14

E shtunë

Ferizaj – Drenica 1:1

(Shënues: Agyare a.g 87’ – Zeka 37’)

Malisheva – Trepça ’89 4:0

(Shënues: Sobowale 59’, Rexhaj a.g 61’, Shillova 84’, Maliqi 90’)

E diel (13:00)

Llapi – Drita

Gjilani – Dukagjini

Ballkani – Prishtina (luhet më vonë)


1. Drita 13 9 3 1 26:10 30

2. Ballkani 11 8 2 1 17:7 26

3. Prishtina 12 6 3 3 16:11 21

4. Gjilani 13 5 4 4 13:15 19

5. Drenica 14 4 5 5 15:17 17

6. Malisheva 14 4 3 7 26:22 15

7. Llapi 12 3 4 5 14:20 13

8. Dukagjini 13 3 3 7 11:15 12

9. Trepça ’89 12 2 5 5 21:26 11

10. Ferizaj 14 1 6 7 11:27 9