Sport

Llapi dhe Feronikeli sigurojnë mbijetesën

Llapi dhe Feronikeli kanë luajtur baras 1:1 në xhiron e fundit të Superligë së Kosovës në futboll.

Me këtë barazim të dyja skuadrat sigurojnë qëndrimin në elitën e futbollit kosovar edhe për sezonin tjetër.

Të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e shënuar nga Kastriot Selmani në minutën e 22-të për 1:0.

Pas golit të pësuar futbollistët e skuadrës nga Drenasi krijuan disa raste shënimi por nuk arritën t’i konkretizonin.

Në pjesën e dytë mysafirët shtuan presionin para portës kundërshtare dhe arritën të barazonin rezultatin me Albert Dabiqajn në 1:1.

Deri në fund të dyja ekipet nuk arritën t’i konkretizonin rastet duke bërë që takimi të mbyllet baras.

Llapi sezonin e mbylli në pozitën e pestë me 43 pikë ndërsa Feronikeli në pozitën e gjashtë me 42 pikë.