Sport

Llapi akuzon gjyqtarët, FFK-ja thotë se pakënaqësitë e klubeve nuk mund t’i eliminojë VAR-i

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, akuzoi rëndë gjyqtarët pas ndeshjes që e humbi me përmbysje nga Gjilani me rezultatin 2:1. Batatina vlerësoi se skuadra e tij ishte më e mirë në fushë dhe meritoi fitoren kundër Gjilanit. Ai insistoi se “Llapi mposhti Gjilanin, por jo edhe gjashtë gjyqtarët e ndeshjes”. Dueli mes Gjilanit dhe Llapit u zhvillua të mërkurën dhe i takoi xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll. Batatina të mërkurën për KOHËN tha se do të parashtrojë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), që të marrë masa ndaj gjyqtarëve që, sipas tij, po e dëmtojnë Llapin. Ai thotë se ndeshja kundër Gjilanit nuk ishte e vetmja ku gjyqtarët ishin në anën e kundërshtarit. Por në FFK thonë se pakënaqësitë e klubeve nuk mund t’i eliminojë VAR-i

“Nëse fillojnë të na dëmtojnë si me Gjilanin, ne duhet të marrim masa shumë serioze si skuadër. Nuk kemi folur dhe jemi përmbajtur. Kemi një gol të anuluar me Dritën, tri pikë. Është ndeshja e katërt që po dëmtohemi. Penallti të akorduar, pastaj të anuluar në Podujevë, ku na kushtoi me tri pikë dhe në Gjilan nuk fituam, por e mposhtëm në çdo aspekt Gjilanin. Mirëpo vendimtar në lojë ishte Mentor Ajeti dhe humbëm tri pikë. Nëntë pikë në total për gjashtë ndeshje, kjo tregon se nuk do të qëndrojmë duarkryq, sepse investimet milionëshe për klane të njerëzve nuk duam t’i humbim”, ka thënë Batatina. “Është mëkat i madh të dëmtohet Llapi që investon milionat. Kjo nuk do të tolerohet. Nuk delegohen arbritrat me stema të FIFA-s dhe delegohen referat që nuk kanë asnjë perspektivë dhe vetëm favorizohen nga njerëz të caktuar brenda delegimit për qëllime të caktuara. Së pari do t’i drejtohemi FFK-së me shkrim që të mos dëmtohemi, pastaj nëse vazhdojnë me të njëjtin tretman, atëherë bashkë me kryesinë analizojmë për hapat që do t’i marrim më tutje”.

Por, në një përgjigje dhënë për KOHËN nga FFK-ja, thuhet se janë komisionet me njerëz profesionistë brenda Federatës që shqyrtojnë çdo gjë që ndodh gjatë një xhiroje dhe ato i ndërmarrin masat e nevojshme mbi bazën e raporteve zyrtare dhe incizimeve televizive për të gjithë të përfshirët në një ndeshje.

“VAR-i nuk mund t’i eliminojë pakënaqësitë e klubeve, por i paraqet të gjitha ngjarjet realisht dhe shumë saktë. Prandaj, mllefi edhe mund të zbrazet dhe të hidhet faji, por VAR-i është një mundësi e artë për sqarimin e çdo situate. Kjo është një ndihmesë e madhe edhe për gjyqtarët që në moment mund të gabojnë, por nëse janë të pasigurt në vendimin e tyre e kanë mundësinë e rishikimit të rastit me VAR-in dhe gjithçka qartësohet. Thjesht me apo pa mllef, VAR-i gjithmonë paraqet realitet”, thuhet në përgjigjen e FFK-së për KOHËN.

Ndërkohë, skuadra e Ballkanit krijoi shumë raste shënimi në ndeshjen kundër Feronikelit, të cilën nuk arriti ta fitonte. Dueli mes Ballkanit e Feronikelit, i luajtur në Suharekë, përfundoi pa gola. Me këtë barazim Ballkani bie në vendin e dytë në tabelë me 13 pikë, një më pak se Drenica që rimerr kryesimin.

“Hasëm në vështirësi ndaj një kundërshtari që vjen të marrë më të mirën duke u mbrojtur. Ne është dashur të ishim më të qetë në finalizim, por nuk ia dolëm”, tha trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi.

Ballkani në fundjavë luan sërish në shtëpi kundër lideres, Drenicës. E skuadra e Drenicës i është kthyer fitores në Superligë, pas një barazimi dhe një humbjeje.

Ka mposhtur Malishevën me rezultatin 1:0, në duelin e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu”, në Skenderaj. Golin e vetëm e shënoi Harallamb Qaqi (21’), që realizoi me kokë pas harkimit të Genc Hamitit. Me këtë triumf, Drenica e ka rimarrë sërish pozitën e parë në tabelë, të cilën e humbi në javën që shkoi. Tani ka 14 pikë të mbledhura.

“Natyrisht se e kemi ditur që kemi të bëjmë me kundërshtarë të vështirë. E kam parashikuar si një prej ndeshjeve më të vështira deri tani. E kemi nisur ndeshjen mirë që nga minuta e parë. Krijuam rastet në fillim. Qëlluam shtyllën, patëm raste dhe erdhëm deri te goli, por edhe shpërdoruam shumë mundësi. Jam i kënaqur me pikët e plota”, tha trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.

Për Malishevën, kjo ishte humbja e dytë këtë edicion, dhe me 11 pikë të mbledhura ka zbritur në pozitën e katërt. Në xhiron tjetër, skuadra e Malishevës e pret në shtëpi Gjilanin.

“Shpresoj të përmirësojmë gabimet e sotme për duelet e radhës. Kemi pasur shumë ndeshje të forta si kundër Prishtinës, Dritës dhe Ballkanit. Kjo ka ndikuar në këtë ndeshje. Drenica në pjesën e dytë u tërhoq, por i patëm rastet tona. Ky është futbolli, Drenicën e uroj për fitore. Ne me pak fat do të dilnim pa disfatë. Do të mundohemi të marrim rezultate pozitive në ndeshjet e ardhshme”, tha trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi.

Xhiroja e katërt do të mbyllet të enjten me dy ndeshje të tjera që zhvillohen prej orës 15:00. Prishtina e pret në shtëpi skuadrën e Ulpianës, ndërsa në Klinë, Dukagjini përballet me Dritën.