Sport

Liverpooli kërkon fitoren e tretë rresht

Skuadra e Liverpoolit kërkon fitoren e tretë rresht në Premier League për t’u shkëputur edhe më shumë prej ekipeve të tjera që synojnë kreun e tabelës. Liverpooli aktualisht është lider në tabelë me 45 pikë dhe në pesë ndeshjet e fundit ka tri fitore e dy barazime. Ndeshjen e radhës Liverpooli e luan në udhëtim ndaj Bournemouthit dhe në këtë përballje synon fitoren e tretë radhazi në kampionat. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 17:30. Për dallim prej Liverpoolit, që është i vendosur ta mbajë pozitën e parë në tabelë, Bournemouthi ka 25 pikë dhe renditet i 12-ti.

Të dielën, prej orës 15:00, luhet edhe dueli ndërmjet Sheffield Unitedit dhe West Hamit. Sheffieldi renditet i fundit në tabelë dhe është në seri prej tri humbjeve e një barazimi në katër ndeshjet e fundit. Ka tubuar vetëm 9 pikë deri më tani dhe ndaj West Hamit do të futet për rezultat pozitiv.

Kjo xhiro nis të shtunën prej orës 13:30 me ndeshjen që luhet në Londër ndërmjet Arsenalit dhe Crystal Palacet. Arsenali kohët e fundit nuk ka treguar formë të mirë dhe ka rënë në pozitën e katërt në tabelë me 40 pikë, pesë më pak se Liverpooli. Në fakt Arsenali ka vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa ndaj Palacet futet pas dy humbjeve në Premier League. Palace ka 19 pikë më pak se Arsenali dhe kundër ekipit të Mikel Artetas do të jetë i motivuar pas fitores që e regjistroi xhiron e shkuar ndaj Brentfordit.

Ndërkohë Brentfordi synon të kthehet te fitorja pas pesë humbjeve rresht në kampionat, ku ka tubuar vetëm 19 pikë. Të shtunën, prej orës 18:30, Brentfordi luan në shtëpi kundër Nottingham Forestit, ekip që i ka fituar dy ndeshjet e fundit dhe gjithashtu po lufton për mbijetesë. Te Brentfordi do të rikthehet sulmuesi Ivan Toney, i cili ishte i suspenduar për tetë muaj për shkak të basteve. Ai do të jetë edhe kapiten i Brentfordit në këtë duel.

Kjo xhiro do të mbyllet të hënën mbrëma, ku skuadra e Brightonit luan në shtëpi kundër Wolverhamptonit prej orës 20:45.