Pasi e eliminoi Dritën në raundin e kaluar, Liria e Prizrenit ka një mision tjetër të vështirë në Kupën e Kosovës në futboll. Këtë herë përballë Lirisë do të jetë Llapi, fituesi në fuqi i Kupës.
Prizrenasit synojnë tjetër befasi për të dëshmuar se e kanë vendin në Superligë.
Liria e pret Llapin në Prizren në kuadër të 1/8 së finales të Kupës. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 13:00 dhe është njëra prej katër dueleve të kësaj dite.
Me ndeshjet e Kupës fillon gara në futbollin kosovar për këtë vit.
Edhe të dielën do të zhvillohen katër ndeshje, në të cilat do të mësohen skuadrat çerekfinaliste.
Liria bën gara në Ligën e Parë, por kjo nuk e pengon ekipin e drejtuar nga trajneri Xhengis Rexhepi që të synojë t’i japë fund rrugëtimit të Llapit në garën për Kupë. Rexhepi në të shkuarën ka qenë në krye të Llapit, ndërsa është trajner i Lirisë prej fillimit të këtij edicioni. Stinorin vjeshtor Liria e ka përfunduar në vendin e katërt në Grupin A me 24 pikë. Te Liria insistojnë se janë përgatitur mirë, jo vetëm për ndeshjen me Llapin por për stinorin pranveror. Liria një pjesë të fazës përgatitore e ka kryer në Durrës.
Kapiteni Robert Gjeraj insiston se përballja me Llapin vjen në kohën e duhur.
“Synimi i vetëm në këtë ndeshje është fitorja dhe avancimi në çerekfinale. Ne duam patjetër të fitojmë për të dëshmuar se kemi ekip që synon të luajë në Superligë sezonin tjetër. Kupa e Kosovës është një mundësi e mirë për të shkuar larg dhe sigurisht se duam ta shfrytëzojmë. Jemi të vendosur ta kalojmë edhe Llapin përkundër që ka një super ekip”, ka theksuar Gjeraj të premten për KOHËN.
“Pasi e kemi rrëzuar Dritën, që është njëra prej skuadrave më të forta në Superligë, atëherë pse mos ta eliminojmë edhe Llapin. Nëse kalojmë tutje me pak fat në short mund të arrijmë edhe në finale. Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati ta dëshmojmë veten”.
Llapi fazën përgatitore e ka zhvilluar në Antalia të Turqisë, ku edhe pësoi në ndeshjen e Superkupës nga skuadra e Dritës me rezultatin 1:0. Ditët e fundit Llapi është zhvendosur në Lipjan që të stërvitet për duelin me Lirinë. Stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan është me bar sintetik sikurse ai i Prizrenit dhe te Llapi kanë dashur të përshtaten përpara duelit të 1/8 së finales.
Llapjanët insistojnë se synimi është të avancojnë në çerekfinale dhe ta mbrojnë trofeun.
“Sigurisht që synimi i Llapit është ta mbrojë trofeun që e ka fituar sezonin e shkuar dhe udhëtojmë në Prizren për fitore. Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati për fillimin e stinorit pranveror. Pres të jetë një ndeshje e fortë, ku dy skuadrat kanë ambiciet e njëjta, pra për të kaluar në çerekfinale”, është shprehur trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Kupa e Kosovës – 1/8 e finales
E shtunë (13:00)
Liria – Llapi
Ballkani – A&N
Feronikeli ‘74 – Trepça ‘89
Flamurtari – Vushtrria
E diel
Prishtina – Dukagjini
Malisheva – F. Kosova
Gjilani – Vjosa
Behari – Prizreni