Liria nuk mund të mburret me rezultatet e deritashme në Superligën e Kosovës në futboll. Stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e fundit me vetëm nëntë pikë të mbledhura. Por te klubi prizrenas mund të mburren që do të prezantohen në Kupën e Afrikës në futboll.
Dy futbollistë të Lirisë do të paraqiten në garën kontinentale afrikane për përfaqësuese. Prins Tjiueza dhe Aprocius Megameno Petrus janë përfshirë në listën përfundimtare të Përfaqësueses së Namibisë për paraqitje në Kupë të Afrikës. Namibia është në Grupin E bashkë me Malin, Afrikën e Jugut dhe Tunizinë.
Kupa e Kombeve të Afrikës zhvillohet nga 13 janari deri më 11 shkurt.
“Po ndihem mirë. Është nder për mua ta përfaqësoj vendin tim. Jemi duke u bërë gati dhe shpresojmë të japim më të mirën”, ka thënë Tjiueza të mërkurën për KOHËN.
Mesfushori i krahut, Tjiueza, dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Megameno, iu bashkuan Lirisë në afatin kalimtar të verës. Kanë pasur paraqitje të mira individuale dhe kjo ka bërë që të marrin ftesë nga Namibia për një ngjarje shumë të rëndësishme të futbollit kontinental. Tjiueza ka luajtur gjashtë herë për Namibinë, derisa Petrus ka 22 ndeshje.
Tjiueza nuk e di nëse dikush tjetër nga Superliga e Kosovës është ftuar për ngjarjen që do të zhvillohet në Bregun e Fildishtë. Në Kupën e Afrikës paraqiten futbollistët më të mirë afrikanë. Ndër të tjera edhe superylli Mohamed Salah.
“Nuk e di nga futbollistët e tjerë të Superligës se a është i ftuar dikush tjetër. Nga Liria kemi qenë të ftuar unë, Aprocius Petrus dhe Junior Petrus”, ka vazhduar 21-vjeçari Tjiueza.
Por në listën e publikuar nga Federata e Futbollit të Namibisë, nuk ishte Junior Petrus, pasi nuk kishte arritur të zërë vend në mesin e 23 lojtarëve të ftuar.
Përzgjedhësi Collin Benjamin ka besim në lojtarët e ftuar.
“Para se të mendojmë t’i mposhtim kundërshtarët, duhet ta mposhtim paraqitjen tonë në turneun e kaluar. AFCON-i është Kupa e Botës për ne dhe synimi ynë është që të lëmë gjurmë”, ka deklaruar Benjamin për faqen zyrtare të përfaqësueses së Namibisë.
Namibia para se ta nisë turneun do të zhvillojë më 8 janar miqësore me Ganën.
Më 16 janar e ka ndeshjen e parë me Tunizinë.
Namibia, Tunizia, Afrika e Jugut dhe Mali janë pjesë e Grupit E.
Dy vendet e para në gjashtë grupe sa janë në total dhe katër më të mirat e vendeve të treta kualifikohen në fazën finale të turneut.
“Kemi grup të vështirë, por ne do të mundohemi të japim më të mirën për të dalë me rezultate pozitive”, theksoi Tjiueza.
Tunizia vlerësohet prej përfaqësueseve të forta në këtë Kupë të Afrikës.
Tunizianët në Botërorin e Katarit patën një barazim me Danimarkën dhe një fitore ndaj Francës, ndërsa u mposhtën nga Australia. E përfunduan aventurën në Katar në vendin e tretë në Grupin D, prapa Francës lidere dhe Australisë, ndërsa lanë prapa danezët.
Paraqitje të mira së fundmi ka pasur edhe Namibia, që Kupën e Afrikës e siguroi nga vendi i dytë i Grupit C kualifikues. Lider ishte Kameruni me shtatë pikë pas katër ndeshjeve, kurse Namibia pati pesë pikë. Burundi ishte i treti me katër pikë dhe Kenia e fundit, pa pikë.
Kampion në fuqi i Kupës së Afrikës është Senegali, që në finale kishte mposhtur Egjiptin në penallti.
Namibia në fazën grupore të atij turneu të zhvilluar në vitin 2021 ishte në vendin e tretë të Grupit A me nëntë pikë. Mali dhe Guineja ishin kualifikuar tutje.