Skuadra e Lirisë do të tentojë të kthehet te fitorja pas një kohe të gjatë, në Superligën e Kosovës në futboll.
Liria është në seri prej nëntë ndeshjeve pa fitore, e cila ka bërë që të jetë në pozitën e fundit në tabelë me vetëm tetë pikë të mbledhura. Të shtunën Liria do të përballet me Prishtinën në kuadër të xhiros së 14-të të elitës së futbollit kosovar. Në këtë ndeshje ekipi nga Prizreni synon fitoren e dytë këtë edicion. Dueli mes Lirisë dhe Prishtinës zhvillohet prej orës 13:00 në stadiumin “Përparim Thaqi”, në Prizren.
Liria fitoren e fundit dhe të vetmen këtë edicion e ka ndaj Fushë Kosovës, të cilën e arriti në xhiron e katërt. Pikërisht humbja nga Fushë Kosova në xhiron e kaluar solli edhe largimin e trajnerit nga Turqia, Nedim Yigit. Liria ndaj Prishtinës do të jetë pa kryetrajner. Skuadra prizrenase në nëntë xhirot e fundit ka gjashtë humbje e tri barazime. Në duelin e parë këto dy skuadra patën luajtur 1:1.
Edhe Prishtina nuk është në ecuri të mirë. Në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë. Renditet e pesta në tabelë me 17 pikë.
Të shtunën edhe Drita do të synojë të kthehet te fitorja pas dy humbjeve dhe një barazimi në tri ndeshjet e fundit. Prej orës 13:00 në stadiumin me bar sintetik në Gjilan, Drita e pret Fushë Kosovën. Fushë Kosova është e parafundit në tabelë me 10 pikë. Drita zë vendin e dytë me 22 pikë.
Dueli tjetër i së shtunës është ai ndërmjet Llapit dhe Feronikelit ’74, që luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Llapi në katër ndeshjet e fundit ka marrë vetëm tri pikë, ndërsa Feronikeli ’74 nuk di për fitore prej xhiros së nëntë.
Ndeshja mes Ballkanit dhe Dukagjinit do ta mbyllë xhiron e 14-të në elitën e futbollit kosovar. Luhet të hënën në Suharekë dhe nis në orën 13:00.
Ballkani është lider me 29 pikë nga 11 ndeshje. Është ekipi i vetëm pa humbje në kampionat deri më tani. Dukagjini është në seri prej 11 ndeshjeve pa disfatë. Ka 17 pikë në vendin e gjashtë.
Xhiroja u hap të premten me ndeshjen Malisheva – Gjilani.