Sport

Liria, një ndeshje larg Superligës

Liria e Prizrenit është vetëm edhe një ndeshje larg rikthimit në elitën e futbollit të Kosovës.

Prizrenasit e fituan ndeshjen e parë të barazhit të Ligës së Parë ndaj Ulpianës me rezultatin, 3:1.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë dhe u dominua nga prizrenasit që nga fillimi e deri në fund të ballafaqimit.

Edmond Likaj u përkujdes për golin e parë në ndeshje, që në minutën e katërt.

Likaj shënoi nga afërsia me ndihmën e një devijimi nga një mbrojtës i Ulpianës.

Pas gjysmë ore lojë, Liria mendoi se fitoi penallti, por pas rishikimit të situatës në VAR, vendimi u tërhoq nga gjyqtari kryesor i ndeshjes.

Por në fundin e pjesës së parë, Liria shënoi tjetër gol.

Petrus Megameno me një gjuajtje të fuqishme me të majtën, realizoi gol të bukur për 2:0.

Ndërkohë për rezultatin 3:0 u përkujdes Diellor Beseni që realizoi nga një pozitë e vështirë në minutën e 52-të.

Ulpiana arriti vetëm ta ngushtojë rezultatin por pa e pasur forcën të kthehet në lojë deri në fund.

Gentian Emini shënoi nga afërsia në minutën e 88-të. Ishte edhe goli i fundit në këtë ballafaqim.

Liria dhe Ulpiana dolën nënkampione të grupeve të tyre në Ligën e Parë. Liria ishte e dyta në Grupin A, kurse Ulpiana e dyta në Grupin B.

Me këtë fitore, Liria tani synon të kthehet në elitën e futbollit të Kosovës pas një kohe të gjatë.

Për herë të fundit në Superligën e Kosovës, Liria garoi në edicionin 2018/19.

Vitin e kaluar nuk arriti sukses pasi u mposht nga Vushtrria pas penalltive, në barazhin e Ligës së Parë.

Nga tribunat të shtunën gjatë ditës në Klinë, të dyja skuadrat e patën përkrahjen e madhe të tifozëve.

Barazhi i Superligës së Kosovës luhet javën e ardhshme.

Në barazhin e Superligës së Kosovës, Liria do të luajë kundër skuadrës së tetë në renditjen e elitës së futbollit kosovar.

Aktualisht ajo pozitë mbahet nga Ferizaj që ka 38 pikë.


FT - Ulpiana 1:3 Liria 


88' - Ulpiana 1:3 Liria (Gooool)

Gentian Emini në minutën e 88-të ka ngushtuar epërsinë në 3:1.

Emini i Ulpianës shënoi pas topit të kthyer nga portieri kundërshtar brenda në zonë.


52’ – Ulpiana 0:3 Liria (Gooool)

Diellor Beseni ka shënuar golin e tretë për skuadrën e Lirisë.

Ai shënoi me gjuajtje me të majtën në minutën e 52-të.


45' - Ulpiana 0:2 Liria (Goooool)

Petrus Megameno e ka dyfishuar epërsinë e Lirisë në minutën e pestë të kohës shtesë të pjesës së parë.

Ai shënoi gol të bukur me gjuajtje të fuqishme me të majtën.


30' - Penallti për Lirinë, por e anulon VAR-i

Liria vazhdon ta ketë epërsinë edhe pas gjysmë ore lojë. Po udhëheq 0:1. 

Ulpiana po provon të shënojë, por pa ia dalë.

Ndërkohë, fillimisht u akordua penallti në favor të prizrenasve, por u anulua pas VAR-it. 


4' - Ulpiana 0:1 Liria (GOOOOOL)

Liria ka kaluar në epërsi të hershme ndaj Ulpianës në ndeshjen e barazhit për inkuadrim në Superligën e Kosovës në futboll.

Edmond Likaj në minutën e katërt shënoi nga afërsia, me ndihmën e një devijimi.

Ky ballafaqim po luhet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.


1' - Ka nisur ndeshja e barazhit e Ligës së Parë mes Ulpianës dhe Lirisë, që po zhvillohet në Klinë.

Fituesi i kësaj ndeshje do të përballet me vendin e tetë të Superligës, për të kërkuar një biletë për elitën e futbollit kosovar.

Ulpiana dhe Liria patën vendin e dytë në dy grupet përkatëse të Ligës së Parë.