Njëra prej skuadrave më me nam në futbollin kosovar, Liria e Prizrenit, është kthyer në Superligë. “Aty ku e ka vendin”, kanë thënë lojtarët dhe drejtuesit e Lirisë pas fitores në ndeshjen e barazhit.
Liria e mposhti Ferizajn në ndeshjen vendimtare për vendin në elitë në edicionin e ardhshëm. Ndeshja e barazhit u zhvillua të dielën në Podujevë, në praninë e një numri të madh shikuesish. Përkrahje nga tribunat kishin të dy skuadrat, por në fund festuan tifozët prizrenas.
Liria e mposhti Ferizajn në serinë e penalltive. Prizrenasit realizuan tri penallti, ndërsa ferizajasit asnjë. Pas 90 minutave lojë nuk kishte gola e po ashtu pas dy vazhdimeve nga 15 minuta.
Portieri Drilon Hodaj ishte ndër më meritorët për suksesin e Lirisë. Ai ndali dy penallti të lojtarëve të Ferizajt.
Blendi Memaj i Lirisë realizoi penalltinë e parë. Astrit Fazliu i Ferizajt gjuajti jashtë portës e më pas gjuajtjen e Astrit Berishës së Lirisë e ndali portieri i Ferizajt, Marko Jovanovski.
Ndërkohë në skenë doli Hodaj. Ai priti goditjen e Betim Haxhimusës, kurse Ardit Topallaj i Lirisë realizoi për 2:0. Hodaj ndali edhe goditjen e Kenan Oranës. Dardan Jashari i Lirisë ishte i saktë për fitoren 3:0 me penallti dhe për gëzimin e tifozëve prizrenas.
u gjuajtën në portën pas të cilës ishin tifozët nga Prizreni, që nisën festën.
Portieri Drilon Hodaj ka theksuar se kthimin në Superligë ia kishin borxh qytetit të Prizrenit. Liria së fundmi kishte garuar në Superligë në edicionin 2018/19.
“Kemi stërvitur gjatë tërë kohës për këtë. Janë emocione të papërshkruara. Është ëndërr e realizuar që kam ndihmuar kthimin në Superligë. Kemi provuar direkt të kthehemi dhe nuk mundëm. Fati deshi që përmes barazhit të kthehemi. Liria ka qenë ekipi i vetëm që ka mundur përmes barazhit të kthehet dhe kjo u realizua”, ka thënë Hodaj. Ai është i lidhur emocionalisht me Lirinë. “Është klubi i zemrës sime, klubi ku jam rritur. Është ëndërr e realizuar. Ia kemi pasur borxh Prizrenit ta kthejmë Lirinë ku e ka vendin, në Superligë. Liria në Superligë do të ketë objektiva madhore. Besojmë fuqishëm se do të jemi aty ku i takon Lirisë, në mesin e skuadrave që luftojnë për Evropë”, ka shtuar Hodaj.
Kishte mobilizim në Prizren para barazhit për Superligë. Liria mori përkrahje edhe nga ish-lojtarë, duke përfshirë Vedat Muriqin. Dhe në fund gjithë organizimi e mobilizimi u shpërblyen me kthim në Superligë.
“Liria e ka merituar edhe më herët kthimin në Superligë. Ishte emocion i veçantë. Kam fatin të jem pjesë e këtij ekipi që siguroi Superligën”, ka thënë mbrojtësi i Lirisë, Dardan Jashari. Ai realizoi penalltinë e fundit.
Liria ka synuar që në Superligë të kalojë si fituese e grupit A të Ligës së Parë. Por mbeti prapa Feronikeli 74, klubit të themeluar vjet në mënyrë diskutabile. Kështu rastin e vetëm për kalim në Superligë e kishte përmes barazhit. I duhej t’i kalonte dy kundërshtarë.
Një javë më herët, në barazhin e Ligës së Parë mundi Ulpianën e Lipjanit, që ishte e dyta në grupin B të Ligës së Parë. Ndaj Ulpianës prizrenasit ishin bindshëm më të mirë. Patën kohën e duhur në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen e barazhit për Superligë. I kanë përgatitur edhe penalltitë. Kështu ka treguar trajneri Xhengis Rexhepi. Ai ka pranuar se kalimi në Superligë përmes barazhit është mision goxha i vështirë.
“Me ndeshjen ndaj Ulpianës ne sot i treguam gjithë Kosovës se si duhet të përgatitet një skuadër për ndeshjet ndaj skuadrave të Superligës. Kemi mundur të fitojmë edhe në lojë. E kemi bllokuar Ferizajn në aspektin ofansiv. Fitoren ua dedikoj tifozëve”, ka thënë Rexhepi. Ai ka theksuar se me penallti Liria nuk do të gabonte.
“Edhe kur Berisha e humbi penalltinë e kemi ditur se të tjerët do të shënojnë”.
Në pjesën e parë më shumë nga loja kishte Ferizaj. Në të dytën Liria disi u ngjall. Rastin më të mirë e kishte Liridon Fetahaj i Lirisë në minutën e 91-të. Por goditjen e tij në mënyrë mjeshtërore e ndali portieri i Ferizajt, Marko Jovanovski. Ai ka shfaqur formë të lartë, por që nuk i mjaftoi Ferizajt.
Ferizaj e mbylli edicionin në Superligë në pozitën e tetë, që ia siguronte ndeshjen e barazhit.
Ferizaj largohet nga Superliga pas vetëm një edicioni. Në të vërtetë Ferizaj mbeti dukshëm prapa në tabelë në stinorin vjeshtor. Dhe gjasat që të dilte në pozitën e tetë nuk janë vlerësuar të mëdha. Me angazhimin e trajnerit Andrej Panadiq dhe të disa lojtarëve, Ferizaj shfaqi shumë në pranverë dhe ia doli të renditet i teti. Por nuk e kishte energjinë e duhur të dielën në ndeshjen vendimtare dhe kthehet në kategorinë e dytë.
Ferizaj në xhiron e fundit të Superligës në mënyrë kontradiktore e mposhti Dukagjinin. Portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, bëri një shmangie qesharake për të mos u goditur nga topi. Dhe Ferizaj, falë golit të Astrit Fazliut në minutën e 105-të, shënoi fitoren që i duhej për të siguruar ndeshjen e barazhit. Trepça ’89, që po ashtu arriti fitore shumë të dyshimtë ndaj Prishtinës, mbeti e nënta dhe ra në Ligën e Parë.
Ai moment i Muhaxhirit i kushtoi shumë imazhit të Ferizajt. Ajo ndeshje me Dukagjinin u fitua, por goditja ndaj Ferizajt ishte e rëndë. Goditje tjetër, këtë herë në fushë dhe në një ndeshje pa kalkulime, ferizajasit morën të dielën në Podujevë.
“Faleminderit që na qëndruat afër. Shihemi në ditë më të mira”, shkruan në postimin e Ferizajt.