Liria e Prizrenit mund të mbetet pa lojtarin që po shkëlqen në Kupën e Afrikës. Mesfushori i Namibisë, Prins Tjiueza mund të largohet nga skuadra e Lirisë. 21-vjeçari nuk ka përjashtuar mundësinë e transferimit te ndonjë skuadër elitare e Afrikës së Jugut. Skuadra me më së shumti trofe të fituar në Afrikë të Jugut, Mamelodi Sundowns ka qenë e interesuar për futbollistin e skuadrës prizrenase. Por Tjiueza mbeti pjesë e Lirisë, skuadër të cilën e ndihmoi të ngjitet në Superligë, ku tani ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim në 13 ndeshje.
“Kjo është pyetje e vështirë, por për Premier League të Afrikës nuk i dihet kurrë, varet nga lloji i ofertave që mund të marrë. Po, ka pasur kontakte me menaxherin tim, por për momentin jam duke u fokusuar vetëm në turne dhe duke bërë më të mirën për vendin”, ka thënë Tjiueza, raporton “msn.com”.
Lirisë i janë larguar shumë lojtarë gjatë këtij afati kalimtar. Liria është në vendin e fundit në Superligë me nëntë pikë pas stinorit vjeshtor. Ndërkohë, stinorin pranveror do ta nisë pa dy lojtarët më të mirë, Tjiuezën dhe Petrusin, që po paraqiten me shumë sukses me Namibinë në Kupë të Afrikës. Tjiueza është duke dhënë kontribut të madh edhe për Namibinë që për herë të parë do të paraqitet në fazën nokaut të Kupës së Afrikës në futboll.
Të mërkurën mbrëma, Namibia luajti pa gola me Malin dhe e arriti suksesin historik, duke avancuar nga faza e grupeve. Namibia ka përfunduar e treta në Grupin E me katër pikë, sa i ka edhe Afrika e Jugut në pozitën e dytë. Mali e fitoi grupin me pesë pikë të tubuara. Namibia kualifikohet si njëra prej katër përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë. Nga grupi E u eliminua Tunizia, që ishte favorite. Tunizia mbeti e fundit me vetëm dy pikë. Namibia për herë të katërt paraqitet në Kupën e Afrikës dhe për herë të parë kalon grupin. Tjiueza është shprehur i lumtur për këtë sukses historik.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Jo vetëm unë, por i gjithë populli i Namibisë janë krenar me ne, me suksesin tonë historik. Ky sukses na motivon për të arritur suksese tjera. Vazhdojmë tutje me këmbë në tokë”, ka thënë Tjiueza për KOHËN.
Pjesë e Namibisë është edhe lojtari tjetër i Lirisë, Aprocious Petrus. Të dy lojtarët kanë startuar në të gjitha ndeshjet e fazës grupore.