Sport

Liria e Fushë Kosova përballen në Prizren për fitoren e parë këtë edicion

Dy skuadrat e rikthyera këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll, Liria dhe Fushë Kosova, do të përballen njëra me tjetrën në kërkim të fitores së parë këtë edicion. Të dy skuadrat e promovuara nga Liga e Parë, do të ndeshen në kuadër të xhiros së katërt. Ndeshja mes Lirisë dhe Fushë-Kosovës, zhvillohet të shtunën prej orës 16:00 në stadiumin “Përparim Thaqi” në Prizren. As Liria, e as Fushë Kosova nuk kanë shijuar fitoren ende këtë edicion, por ekipi nga Prizreni është më lartë në tabelë. Liria ka tubuar dy pikë deri më tani dhe zë vendin e shtatë në tabelë pas tri ndeshjeve të luajtura, ndërsa Fushë Kosova është e fundit dhe ekipi i vetëm pa pikë. I ka humbur të dyja ndeshjet që i ka luajtur deri më tani këtë edicion. Te Fushë Kosova, e kanë këtë parasysh dhe drejt Prizrenit do të udhëtojnë me synimin për ta regjistruar fitoren e parë këtë edicion. Kështu, ka insistuar trajneri i këtij ekipi, Burim Shala. Ai të premten për KOHËN, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për duelin kundër Lirisë.

“E kemi parasysh se përballë kemi një kundërshtar të fortë dhe që do ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve, por ne jemi përgatitur në të gjitha aspektet dhe jemi gati për duelin me Lirinë. Sigurisht, pres të jetë një ndeshje e mirë, por ne udhëtojmë në Prizren me vetëm një qëllim. E ai qëllim është që ti marrim pikët e plota nga ky takim për fitoren e parë të Fushë-Kosovës në këtë edicion”, ka thënë trajneri Shala.

Në anën tjetër, Liria që në ndeshjet në shtëpi ka përkrahje të fuqishme nga tifozët, kërkon t’i gëzojë ata me fitoren e parë këtë edicion. Në duelin e fundit, luajti pa gola në udhëtim te Dukagjini kurse me rezultat të ngjashëm e mbajti në shtëpi skuadrën e Dritës. Humbjen ia shkaktoi Ballkani në xhiron e parë. Krahas fitores ndaj Fushë Kosovës, Liria është në kërkim edhe të golit të parë këtë edicion pasi ende nuk ka shënuar gol pas tri xhirove të para. Kapiteni Ardit Topalaj, beson se ka ardhur koha që Liria pas dy barazimeve ta regjistroj fitoren e parë këtë edicion. Ai thotë se me përkrahjen e tifozëve dhe paraqitjen e mirë që e pret ndaj Fushë Kosovës, pikët e plota do të mbesin në Prizren. Si Liria ashtu edhe Fushë Kosova, pritet të jenë të kompletuara për këtë duel që e vlerësojnë tejet të rëndësishëm.

“Normalisht, që presim fitore pasi ka ardhur koha të marrim pikët e plota për t’i gëzuar tifozët tanë, të cilët sigurisht do të jenë në numër të madh për të na përkrahur. Luajmë në shtëpi dhe besoj se angazhimi i të gjithë lojtarëve do të jetë maksimal. Jemi përgatitur mirë dhe duam fitore për të qenë më të qetë në vazhdim të kampionatit. Patjetër duhet ta marrim fitoren e parë, pasi qyteti i Prizrenit dhe tifozët tanë meritojnë shumë më shumë”, ka thënë Topalaj për KOHËN.

Të shtunën, në të njëjtën kohë, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të kësaj xhiroje. Skuadra e Malishevës është vendase kundër Feronikelit ’74. Malisheva synon të reflektojë në këtë përballje pas humbjes që ia shkaktoi Prishtina në xhiron e fundit. Malisheva ka gjashtë pikë pas dy fitoreve që i realizoi në dy xhirot e para. Në anën tjetër, Feronikeli ’74 është i motivuar pas triumfit ndaj Gjilanit vikendin e shkuar, ku regjistroi fitoren e parë pas dy humbjeve rresht. Ekipi nga Drenasi zë vendin e gjashtë në tabelë me tri pikë më pak se Malisheva. Ndërkohë, xhiroja do të përfundojë të dielën, me tri ndeshje që janë në program. Megjithatë, dueli më interesant do të jetë ai ndërmjet Llapit dhe Prishtinës. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe nis në orën 16:00. Llapi në këtë përballje futet pas dy fitoreve rresht, të cilat e kanë ngjitur në pozitën e katërt në tabelë më gjashtë pikë të mbledhura. Prishtina është lidere e Superligës me shtatë pikë dhe ende nuk di për humbje këtë edicion. Ndërkohë, dy përballjet tjera, janë: Ballkani – Gjilani dhe Drita – Dukagjini. Kampioni në fuqi, Ballkani llogaritet favorit absolut përball Gjilanit, ekip që u riorganizua në momentet e fundit dhe pas dy ndeshjeve të luajtura ka tubuar vetëm një pikë. Ballkani ka gjashtë pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, pasi duelin e xhiros së shkuar me Dritën kërkoi që të shtyhet për shkak të angazhimeve në garat evropiane. Krahas Ballkanit, edhe Drita vlerësohet favorite në ndeshjen kundër Dukagjinit që zhvillohet në qytetin e Gjilanit. Drita ka katër pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar se Dukagjini që xhiron e shkuar mori pikën e parë pas barazimit pa gola me Lirinë në shtëpi. Dukagjini i ka humbur dy ndeshjet e para dhe ende nuk ka shënuar gol këtë edicion në Superligë.

Superliga – IV

E shtunë (16:00)

Liria – Fushë Kosova

Malisheva – Feronikeli ‘74

E diel (16:00)
Llapi – Prishtina

Ballkani – Gjilani

Drita – Dukagjini


1. Prishtina 3 2 1 0 6:2 7

2. Malisheva 3 2 0 1 8:4 6

3. Ballkani 2 2 0 0 3:0 6

4. Llapi 3 2 0 1 5:3 6

5. Drita 2 1 1 0 2:0 4

6. Feronikeli ’74 3 1 0 2 2:5 3

7. Liria 3 0 2 1 0:1 2

8. Gjilani 2 0 1 1 0:1 1

9. Dukagjini 3 0 1 2 0:4 1

10. F. Kosova 2 0 0 2 2:8 0