Sport

Liqeni synon suksesin e radhës në vendin që nuk e njeh Kosovën

Skuadra e futsallit, Liqeni nga Drenasi, synon edhe një tjetër sukses në Ligën e Kampionëve. Pasi kaluan fazën e parë, që njihet se raundi preliminar në muajin gusht siguroi edhe pjesëmarrjen në raundin kryesor (Main Round), tani ekipi kosovar e ka një tjetër synim, kalimin në “Elite Round”. Për të bërë një gjë të tillë, kampioni në fuqi i Kosovës në futsall duhet të përfundojë në vendin e parë në Grupin e gjashtë.

Por, pavarësisht rezultateve që do t’i kenë, lojtarët e Liqenit tashmë kanë shkelur territore të reja. Ata të martën janë vendosur në Ukrainë dhe janë bërë sportistët e parë nga Kosova që përfaqësojnë vendin në një mënyrë e që kanë hyrë në këtë vend. Deri më tani Ukraina nuk ka lejuar paraqitjen e sportistëve të Kosovës në territorin e saj. Madje, as hyrjen e tyre. Disa ndeshje të klubeve e përfaqësueseve të Kosovës me klube e përfaqësuese të Ukrainës janë luajtur ose në Kosovë, ose në terren neutral. Rrugën për të arritur një sukses tjetër Liqeni e nis të enjten në mesditë ku do të përballet me kampionin e Rumanisë, FC United Galati. Ndeshja zhvillohet prej orës 13:00. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të luhen në qytetin Ivan-Frankivsk.

Duelin e dytë ekipi kosovar do ta zhvillojë kundër nikoqirit ukrainas, FC Uraganit më 29 tetor. Kurse ndeshjen e tretë dhe të fundit të grupit do ta luajë ndaj ekipit nga Azerbajxhani, FC Araz Naxçivan më 31 tetor. Vetëm ekipi që renditet në vendin e parë në grup e siguron kualifikimin në “Elite Round”. Trajneri i Liqenit, Shpend Ibrahimi, ka thënë për KOHËN se skuadra që ai drejton është gati të paraqitet në “Elite Round”. Ai ka fjalë të mira edhe për nikoqirët, të cilët thotë se i kanë pritur shumë mirë. Ibrahimi thotë se atmosfera në ekip është e mrekullueshme.

“Deri më tani ka shkuar gjithçka mirë. Kemi hasur në pritje shumë të mirë edhe nga nikoqirët. Atmosfera në skuadër është e mrekullueshme. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjet që na presin dhe do ta japim më të mirën”, deklaroi Ibrahimi.

Ai thekson se i kanë studiuar ekipet më të cilat do të përballen. Pranon se janë ekipe të forta, por insiston se janë të kalueshme.

“Që nga hedhja e shortit kur edhe i kemi mësuar ekipet më të cilat do të përballemi në këtë fazë, i kemi studiuar mirë. Kemi të bëjmë me ekipe të forta. Por, kemi shpresa të mëdha që mund t’ia dalim dhe ta kalojmë edhe këtë fazë. Do të ishte shumë e mirë jo vetëm për ekipin tonë, por në përgjithësi edhe për futsallin e Kosovës”, tha Ibrahimi.

Atmosferën pozitive te Liqeni e konfirmon edhe portieri Fidan Gashi. Ai beson që ekipi është gati për të dhënë më të mirën.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë para ndeshjeve që na presin. Ka kohë që jemi duke u përgatitur për këtë rreth të garave. Besoj që jemi gati për të dhënë më të mirën dhe për të arritur atë që duan, pra kalimin në raundin tjetër”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, ekipet me të cilat do të përballen janë të nivelit të lartë. Ai thekson se i njohin shumë mirë dhe se janë maksimalisht të motivuar për t’i mposhtur.

“Jemi përgatitur shumë mirë për ekipet më të cilat do të përballemi. Kundërshtarët i njohim mirë dhe e dimë se kemi të bëjmë me skuadra të forta, duke marrë parasysh edhe nivelin e ligave ku ato luajnë. Besimi te bashkëlojtarët është i madh. Motivi nuk mungon te lojtarët. Synojmë paraqitje shumë të mira dhe normal për të kaluar në fazën tjetër”, deklaroi Gashi.

Gashi ka përvojë të madhe si portieri i futsallit në garat evropiane. Ka qenë edhe pjesë e Feniksit – klub tashmë i shuar - por që nuk ka mundur të paraqitet shkaku i lëndimit. Ai nënvizon se përvoja ka rëndësi të madhe në këtë nivel garash.

“Përvoja luan rol të rëndësishëm. Në bazë të përvojës ne duhet t’i motivojmë bashkëlojtarët dhe ta kemi moralin lart për t’u paraqitur sa më mirë në këtë garë. Për mua është hera e dytë me ekipin e Liqenit që do të luajë në garat evropiane, kurse njëherë isha me Feniksin, por shkaku i lëndimit nuk kam mundur të luaja”, tha Gashi.

Skuadra e futsallit nga Drenasi, krahas titullit sezonin e shkuar e ka fituar edhe Kupën e Kosovës në futsall. Sa i përket raundit preliminar të Ligës së Kampionëve, Liqeni përfundoi i pari në grup me nëntë pikë të mbledhura duke shënuar tri fitore në po aq ndeshje të luajtura. Realizoi 15 gola dhe pranoi tetë sosh. Në dy ndeshjet e para të Grupit H, Liqeni ka mposhtur ekipet London Helvecia (7:6), Tavshançali (5:0), përpara se të triumfojë edhe në duelin e fundit dhe vendimtar ndaj ekipit gjerman Weilimdorf me rezultatin 3:2. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi qenë zhvilluar në Gjermani.