Sport

Liqeni respekton Prishtinën 01, por synon kupën në futsall

Liqeni ka dominuar futbollin e sallës në Kosovë në dy edicionet e fundit. Sukseset e arritura në ligë e në Kupën e Kosovës, skuadra nga Drenasi i kërkon edhe në këtë edicion.

Liqeni është fitues i dy edicioneve të fundit në elitën e futsallit të Kosovës, ndërsa Kupën e Kosovës e ka fituar në edicionin 2020/2021.

Do ta ketë një tjetër rast të artë për të triumfuar në finalen e Kupës, që është caktuar të luhet më 4 maj prej orën 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Trajneri i Liqenit, Shpend Ibrahimi, ka thënë se është e vështirë të motivohen lojtarët për shkak të sukseseve të edicioneve paraprake. Por ai ka shtuar se kjo nuk do të thotë se Liqeni nuk i synon të dy trofetë edhe në këtë edicion.

Ibrahimi ka qenë i matur në deklarata, ndërsa ka përgëzuar punën që ka bërë Prishtina 01 në edicionin aktual.

“Jemi duke punuar për fazën finale të kampionatit dhe Kupën e Kosovës. Kemi fituar trofe në këto vitet e fundit dhe duhet gjithmonë një motivim shtesë. Por unë besoj se do t'ia dalim”, ka thënë fillimisht drejtuesi i skuadrës nga Drenasi.

Liqeni u mposht nga Prishtina 01 në kuadër të xhiros së 14-të. Javën e kaluar pësoi 5:2. Por për Ibrahimin ajo ndeshje nuk është tregues.

“Prishtina ka bërë bukur shumë transferime të qëlluara. Tash së fundmi kemi pasur lojë me të në Prishtinë. Por jemi duke punuar në atë rrugë që ne të dalim fitues”, theksoi ai.

Te skuadra e Liqenit ka lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës e Shqipërisë. Madje edhe të Kolumbisë.

Në forcën e kolumbianëve, dhe të tjerëve natyrisht, mbështetet edhe Jakup Ramadani që është nga Shkupi.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Për momentin jemi në finale të Kupës. Jemi në gjysmëfinale të plejofit sigurt. Na ka mbetur vetëm të përgatitemi deri në fund, të shpresojmë të mos kemi lëndime. Objektivat janë si gjithmonë, kampion dhe ta fitojmë Kupën”, është shprehur Ramadani.

Liqeni e ka siguruar kualifikimin në plejofin e Superligës së Kosovës në futsall. Por ende nuk e di kundërshtarin, derisa të mbyllet sezoni i rregullt. Kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u luajtur.

Deri në finale të Kupës, Liqeni pati rrugë dukshëm më të lehtë se Prishtina 01. Skuadra nga Drenasi eliminoi Jetonin e Ligës së Parë, ndërsa ndaj Vjosës fitoi me rezultat zyrtar. Në finale u kualifikua pa lojë.