Lipjani nuk ka skuadër në Superligën e Kosovës në futboll. Por e ka stadiumin që shpesh është qendër e rëndësishme e Superligës.
Stadiumi “Sami Kelmendi” në Lipjan është i vetmi në të cilin do të luhen dy ndeshje të xhiros së tetë të kampionatit të Kosovës në futboll. Të dielën në këtë arenë është derbi gjilanas mes Dritës e Gjilanit. Ndërkohë të hënën në Lipjan luajnë Fushë Kosova e Prishtina. Në edicionet e fundit skuadrat që kanë pasur telashe me stadiume shpesh kanë zgjedhur Lipjanin si alternativë të duhur. Kjo po vazhdon ende.
Në të vërtetë është e rrallë që derbi gjilanas të zhvillohet në një qytet tjetër. Këtë hap e mori Drita për derbin e së dielës. Në stadiumin e qytetit në Gjilan ka kohë që nuk luhen ndeshje. Skuadrat gjilanase kanë shfrytëzuar një fushë të improvizuar në stadium.
“Ndeshja e paraparë të zhvillohet në Gjilan është zhvendosur në Lipjan, në stadiumin ‘Sami Kelmendi’. Për shkak të kushteve infrastrukturore dhe situatës së krijuar në vend ditëve të fundit, ndeshja do të zhvillohet vetëm me praninë e tifozërisë vendase, ‘Intelektualët’”, ka njoftuar Drita të premten.
Gjilani nuk e ka pranuar mirë vendimin që në stadium të jetë vetëm njëri grup i tifozëve. Gjilani është riorganizuar së fundi pas telasheve të mëdha.
Gjilani ka shkruar se i është mohuar prezenca e tifozëve.
“Lokacioni për zhvillimin e takimit është caktuar stadiumi ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, ndërkohë që me kërkesë të klubit nikoqir është vendosur që në stadium të jetë prezent vetëm një grupim i tifozërisë dhe në këtë rast është ndaluar prezenca e tifozëve në mënyrë të organizuar të cilët do të jenë në mbështetje të klubit të Gjilanit. Ftojmë të gjithë mbështetësit e klubit, në veçanti grupimin ‘Skifterat’ të mos veprojnë në afeksion, por të vazhdojnë mbështetjen dhe përkrahjen e ekipit edhe në format e tjera, përveç asaj fizike në stadium. Ne do të vazhdojmë të mbetemi prapa politikave për afrimin e tifozëve më afër klubit, sepse mbështetja e tyre është e domosdoshme në të gjitha format”, ka shkruar Gjilani të premten mbrëma.
Për Fushë Kosovën, Lipjani është bërë shtëpi e dytë. Ndeshjet si vendase këtë edicion, Fushë Kosova i ka luajtur në “Sami Kelmendi”. Stadiumi në Fushë Kosovë nuk i plotëson kriteret për ndeshje të Superligës.
“Muajin e ardhshëm do të nisin punimet në stadiumin tonë. Do të ndërhyhet në fushë, zhveshtore dhe tribuna. Presim që prej janarit të kthehemi në shtëpinë tonë. Deri atëherë do të luajmë në Lipjan për shkak se e kemi më afër”, ka thënë trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, të premten për KOHËN.
Në Lipjan si vendase luan Ulpiana e Ligës së Parë. Herë pas here stadiumi shfrytëzohet edhe nga skuadra të tjera. Deri më tani fusha e stadiumit po e përballon mirë ngarkesën jo të zakonshme.