Lincoln Red Imps është kundërshtari i Ballkanit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Bëhet fjalë për kampionin e Gjibraltarit dhe ekipin më të suksesshëm të këtij territori. Lincolni mban rekordin me 27 tituj të kampionit të Gjibraltarit. Në vitin 2021 u bë ekipi i parë nga Gjibraltari që arriti në fazën grupore të garave evropiane. U paraqit në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Mban disa rekorde interesante, falë dominimit në futbollin e Gjibraltarit.
Ndeshja e parë mes Ballkanit dhe Lincolnit zhvillohet të enjten prej orës 20:45 në “Fadil Vokrri”. Ndeshja e kthimit është në “Victoria Stadium”, në Gjibraltar, më 17 gusht.
Nuk është hera e parë që Lincoln Red Imps luan ndaj skuadrave kosovare. Apo që vjen në Kosovë.
Në edicionin 2018/19 të Ligës së Kampionëve, Lincolni u përball me Dritën e Gjilanit në Gjibraltar, në finale të raundit parakualifikues. Drita kishte fituar 4:1 me tre gola në vazhdime. Ndeshja në kohën e rregullt kishte përfunduar 1:1. Turneu i raundit parakualifikues në atë edicion ishte zhvilluar në Gjibraltar.
Një vit më pas turneu i raundit parakualifikues ishte mbajtur në Prishtinë. Feronikeli i Drenasit, klub që nuk ekziston më, kishte fituar 1:0 ndaj Lincolnit në gjysmëfinale të raundit parakualifikues.
Në edicionin 2020/2021, Lincolni është dashur të përballej me Prishtinën në raundin parakualifikues të Ligës së Evropës. Fitoi me rezultatin zyrtar 3:0, pasi shumë nga pjesëtarët e delegacionit të Prishtinës dolën me koronavirus dhe u karantinuan. Madje kjo ndodhi në dy raste.
Vjet Lincolni qëndroi në Shkup. Humbi 3:0 nga skuadra shqiptare, Shkupi, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Championsit. Lincolni fitoi 2:0 në Gjibraltar, por Shkupi avancoi me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
Skuadra gjibraltarase tani kthehet në “Fadil Vokrri”, ku kishte dështuar herën e kaluar. Ballkani llogaritet favorit i madh ndaj Lincolnit, ndërsa tifozët e klubit suharekas presin që dallimi të bëhet që në ndeshjen e parë.
Lincoln Red Imps nisi kampanjën në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. U përball me Qarabagun e Azerbajxhanit. Humbi 2:1 në shtëpi e 4:0 në Baku. Me rezultatin e përgjithshëm 6:1, Qarabagu avancoi. Në të dyja ndeshjet nga një gol për Qarabagun e shënoi Redon Xhixha.
Shorti përcaktoi që Lincolni raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës ta kalojë pa kundërshtar. Dhe në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës e ka në rrugë kampionin kosovar. Ekipi i Ilir Dajës është i motivuar që të përsërisë suksesin e vitit të kaluar kur arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës.