Pak raste të rrezikshme për të shënuar gol pati Liepaja e Letonisë para një jave, kur ishte mysafire e Gjilanit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Edhe goditjet që i kishin mysafirët i ndalte portieri Enea Koliçi ose topi dilte jashtë.
Liepaja nuk kishte shumë ide për ta sulmuar Gjilanin, që ka bërë shumë ndryshime brenda skuadrës para nisjes së sezonit të ri, duke nisur nga trajneri. Tani Gjilani udhëhiqet nga trajneri Zekirija Ramadani.
Pikërisht këto ndryshime kishin krijuar konfuzion te skuadra letoneze, që ishte fokusuar shumë në lëvizjet që gjilanasit i kanë bërë. Këtë e ka pranuar edhe sulmuesi i krahut i Liepajas, Gauthier Mankenda.
Mankenda, ish-sulmuesi i Prishtinës me përvojë të madhe në futbollin kosovar, theksoi se pikërisht ky ka qenë gabimi që ka ndikuar edhe në rezultat në ndeshjen e parë.
Gjilani fitoi në “Fadil Vokrri” me rezultatin 1:0 dhe të enjten e luan duelin kthyes në Letoni nga ora 16:00, në stadiumin “Daugavas” në. Gjilani e Liepaja përballen në kuadër të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Gabimi që e kemi bërë në ndeshjen e parë është sepse kemi harxhuar shumë kohë duke e vëzhguar kundërshtarin. Gjilani ka bërë skuadër të re dhe ne kemi reaguar shumë vonë”, ka thënë Mankenda të mërkurën për KOHËN.
Mankenda 24-vjeçar thotë se tashmë i kanë informatat e mjaftueshme për kundërshtarin dhe beson plotësisht në kualifikim. Madje shton se nuk po mendojnë asgjë tjetër.
“Ekipi është mirë dhe shumë i motivuar për ndeshjen e nesërme ndaj Gjilanit. Nesër do të luajmë vetëm për t’u kualifikuar. Po, besimi në kualifikim vjen nga cilësitë që i kemi brenda skuadrës. Nuk e di se sa e vështirë do të jetë, por ne jemi të vendosur për t’u kualifikuar tutje. Ne i dimë pikat e dobëta të Gjilanit, por ajo le të mbetet sekret”, thotë Mankenda.
Liepaja është një herë kampione e Letonisë, ndërsa dy herë ka fituar Kupën. U themelua në vitin 2014 si klub.
Ky është edicioni i gjashtë që merr pjesë në garat evropiane. Ka luajtur në të gjitha garat e organizuara nga UEFA.
Në garën e tretë për nga rëndësia, në Ligën e Konferencës, po merr pjesë për herën e dytë rresht.