Liverpooli ka pësuar humbjen e dytë radhazi në Premier League. Pas Nottingham Forestit, Reds u mposhtën në “Anfield” nga Leedsi të shtunën mbrëma.
Leedsi triumfoi me rezultat 2:1.
Rodrigo i mysafirëve shfrytëzoi mjaft mirë një gabim të mbrojtjes së Liverpoolit dhe realizoi qysh në minutën e katërt.
Por kundërpërgjigja e vendasve ishte e shpejtë. Mohamed Salah barazoi rezultatin pas vetëm dhjetë minutave.
Megjithatë në minutën e 89-të, Crysencio Summerville, heshti tifozët në “Anfield” duke i dhënë Leedsit epërsinë për herë të dytë.
Deri në fund, Liverpooli nuk arriti që së paku të barazonte.
Humbja e lë Liverpoolin në vendin e nëntë me 16 pikë. Leedsi tash është i 15-ti me 12 pikë.