Sport

Laura ndalet në çerekfinale, kërkon medaljen e bronztë

Laura Fazliu nuk ia doli ta shfaqë më të mirën ndaj xhudistes së Austrisë, Lubjana Piovesana. Dhe pësoi humbje me uazari në kohën shtesë, në çerekfinale të Grand Slamit në Baku të Azerbajxhanit. Laura po garon në kategorinë deri 63 kg dhe është bartëse e parë.

Por ndaj Piovesanas kishte telashe për të realizuar aksione dhe nuk shfaqi forcën që e ka. Piovesana kishte më shumë nga lufta, ndërsa realizoi hedhje për uazari. Në xhiron e parë Laura ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti brazilianen Tamires Crude. Laurës i duhen edhe dy fitore për ta siguruar të bronztën.

Akil Gjakova është ndalur në xhiron e parë në kategorinë deri 73 kg. E humbi pas gati dhjetë minutash luftën e fortë e të barabartë me sllovenin Martin Hojak. Akili pësoi dënimin e tretë. Loriana Kuka garoi në kategorinë deri 70 kg. E mposhti fillimisht italianen Irene Pedrotti e më pas humbi nga kroatja Lara Cvjetko.