Kosova aktualisht i ka dy xhudiste që janë në pozitën e parë në ranglistën botërore të kategorisë përkatëse. Bëhet fjalë për Distria Krasniqin në kategorinë deri 52 kilogramë dhe për Laura Fazliun në kategorinë deri 63 kilogramë.
Në ranglistën e publikuar këtë javë, Laura doli prej pozitës së dytë në pozitën e parë në kategorinë e saj. Ndërroi vendet me britaniken Lucy Renshall. Laura tani i ka 5626 pikë, ndërsa Renshall i ka 5491 pikë.
Për herë të parë, Laura është e para në ranglistën botërore. Në gusht ajo ishte ngritur në pozitën e dytë të kategorisë deri 63 kg.
Pikët për ranglistë mblidhen me sukses nëpër gara.
Distria ka kohë që është e para në ranglistën e kategorisë deri 52 kg. I ka 8300 pikë, ndërsa e dyta është Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit me 7390 pikë.
Madje Distria është më e ranguara prej të gjitha xhudisteve. Është e vetmja xhudiste në botë që ka mbi 8000 pikë në ranglistë.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, e ka publikuar renditjen e dy garueseve të tij. Është shprehur krenar për këtë të arritur.
Nora Gjakova është e shtata në kategorinë deri 57 kg, ndërsa Akil Gjakova është i 30-ti në kategorinë deri 73 kg. Loriana Kuka është e 27-ta në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa më poshtë është në kategorinë deri 70 kg, ku është testuar së fundi.
Distria e Laura janë të parat në kategori edhe në ranglistën olimpike, në të cilën llogaritja e pikëve bëhet pak më ndryshe. Pikët e fituara në vitin e fundit kanë vlerë më të madhe në ranglistën olimpike. Brenda normës olimpike janë edhe Nora Gjakova e Akil Gjakova, ndërsa Loriana Kuka është në kufi të zonës që siguron normën.
Gara e ardhshme për xhudistët kosovarë do të jetë Grand Slami në Abu Dabi, që mbahet pas një jave. Do të garojnë xhudistët që kanë më shumë nevojë për pikë: Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe Shpati Zekaj.
Në fillim të nëntorit është Kampionati Evropian në të cilin do të paraqiten Distria, Nora, Laura, Loriana, Akili si dhe Flaka Loxha.