Dy lojtarë të ulur përballë njëri-tjetrit. Në mes tyre një tavolinë. Që të dy me përqendrim maksimal. Koha ecën. Një gabim i vogël mund të kushtojë me humbje të lojës. Me mat.
Njësoj edhe në ring. Një lëvizje e pamenduar mirë kushton me nokaut.
Dy natyra të ndryshme të lojërave të përfshira në një sport – shah dhe boks. Apo shah-boks.
Shah-boksi është sport i ri që ka fituar shumë përkrahës në vitet e fundit. Një shqiptar nga Podujeva është kampion bote në këtë sport të veçantë.
Refik Latifi u bë kampion në Kampionatin e Pestë të Botës në shah-boks. Këtë sukses e arriti në Botërorin që u organizua në Riccione të Italisë nga 28 tetori deri më 2 nëntor. Latifi ishte më i dalluari i kategorisë deri në 95 kilogramë.
“Kur boksoj më duket sikur po hyj për të pirë një kafe. Kam punuar shumë në shah dhe arrita suksesin”, nis rrëfimi i veçantë i Refik Latifit për sportin jotipik.
Lidhja e Latifit me boksin ekziston tash e 16 vjet. Piktura e ikonës së boksit, Muhammad Ali, në banesën e Latifit e tregon qartë lidhjen e tij me boksin. Ai thotë se ka mbi 100 meçe në boksin amator. Tregon se ka qenë i treti në kategori të rëndë në ligën e parë të Gjermanisë. Ka stërvitur edhe me Haxhi Krasniqin, në mesin e shumë boksierëve të njohur.
Latifi është 34-vjeçar, ndërsa ka punëtori për rregullimin e karoserisë së veturave të dëmtuara nga breshri.
Krahas punës, sidomos në dy vjetët e fundit, Latifi i është përkushtuar edhe më shumë boksit. Edhe shahut në të njëjtën kohë.
Denisi, një shok i Refikut, ia kishte treguar sportin e ri në ngritje. Latifit i kishte pëlqyer dhe donte sfidë të re. Ai ka treguar se gjithmonë ka qenë i zoti në disa sporte, përfshirë edhe basketbollin e hendbollin.
“Kam pasur gjithmonë qejf të rrihem. Më ka pëlqyer boksi edhe për shkak të Luan Krasniqit. E shikoja edhe Muhammad Alinë. Më kanë inspiruar. Është një sport ku je tek e tek. Rrihesh me një person dhe nuk ka hile. Kam nisur me boks. Edhe në Prishtinë kur kam qenë, gjithmonë jam marrë me sport. Kam qenë në atletikë, hedhës i shtizës. E kam zënë vendin e dytë. Gjithmonë kam qenë tip sportiv”, tregon Latifi.
Më pas, Latifi me shumë pasion shpjegon edhe rregullat e shah-boksit. Thotë se pavarësisht natyrave të ndryshme, shahu dhe boksi kanë ngjashmëri.
Kufjet në vesh gjatë lojës së shahut thotë se i mbajnë për të mos dëgjuar zhurma nga jashtë e të mos shpërqendrohen.
“Shahu gjithmonë më ka pëlqyer, por shahu dhe boksi janë shumë të ngjashëm. Çdo gjë që bën në shah, kur i lëviz figurat, gjithmonë e ke një parashikim. Edhe në boks është njësoj. Në shah mund të humbësh me shah-mat, kurse në boks me nokaut. Një gabim i vogël në të dyja sportet dhe e humb përballjen”, vazhdon Latifi.
Ndeshja nis me raundin e parë në shah, ku dy lojtarët kanë 4 minuta e gjysmë kohë. Pas tre minutash ka pauzë njëminutëshe deri në vënien e dorëzave. Boksierët dalin në ring për të boksuar. Nëse nuk ka nokaut, fituesi përcaktohet në shah, e kështu me radhë. Meçin kundër rusit Anatolii Shchukin, që ishte i pari në këtë botëror për të, Latifi e vlerëson si më të vështirin.
“Kur kam shkuar aty i kam parë të gjithë boksierët. Nuk ma mbushën syrin, por kur e pashë rusin e dija që është edhe boksier i fortë, edhe shahist i mirë. Rusin e mposhta. E kam mundur tre sekonda para se të përfundonte koha, e munda me shah-mat. Në boks e rraha goxha fort. Në raundin e dytë e rrëzova një herë në tokë. Ka qenë meç shumë i vështirë”, tregon Latifi për emocionet e meçit të parë.
Ai pastaj është dashur të garonte me një garues nga India, e më pas me një tjetër nga Turqia. Të dy refuzuan të dilnin në ring me të. Për shkak të frikës nuk donin të rriheshin me mua, thotë Latifi, duke shtuar se ata i anuluan meçet.
Në kategorinë deri në 95 kilogramë gjithsej kanë qenë gjashtë garues. Latifi, nga një boksier nga India, Australia, Rusia dhe Turqia, dhe një tjetër nga Gjermania.
Në finale mposhti boksierin nga Berlini, Remmo Ali.
Edhe garuesin me nënshtetësi gjermane, Latifi e ka mposhtur me shah-mat.
“Hyja në boks për t’u rrahur, por aq shumë jam rrahur në boks, saqë nuk më intereson më. As nuk më kap paniku, as nuk bëhem nervoz. Jam shumë i qetë në kokë. Kam luajtur shah dhe kur kam hyrë në ring për boks, unë më shumë kam menduar në shah sesa në boks. Por, posa i kam hequr dorëzat e boksit, e kam ditur potezin që do ta luaj në shah dhe si do të vazhdoj. Ajo më ka ndihmuar shumë, sepse në kokë kam qenë shumë i qetë dhe shahistët që kanë qenë aty më të mirët, më kanë thënë: Uau. Këso loje shahu nuk ke luajtur asnjëherë, ke luajtur shumë mirë”.
Latifi jeton në Dortmund dhe e ka edhe profesionin e trajnerit të boksit. Ai ka falënderuar të gjithë anëtarët e klubit që i kanë ndihmuar për sparingje, por nuk lë anash as trajnerët Christina Hammer, Denno Probst e Jonathan Reichel, trajner i shahut.
Agron Smakiqi, Granit Shala, Agit Kabyel kanë qenë prej emrave të tjerë me të cilët ka stërvitur.
Por Latifi nuk e di nëse do të vazhdojë më me këtë sport.
“Jam i pari në Gjermani që është bërë kampion botëror në kategori të rëndë në këtë sport. Por edhe në shqiptari ma merr mendja që jam i pari. Është goxha krenari dhe ndihem shumë mirë”, ka përfunduar Latifi.
Kampionati Botëror i Shah-Boksit 2023 në Itali e shënoi 20-vjetorin e themelimit të Organizatës së Shah-Boksit Botëror (WCBO). Ideator i themelimit të këtij sporti ishte holandezi Iepe Rubingh. Ai në vitin 2003 organizoi një ndeshje me Jean Louis Veenstran. Rubingh ishte fituesi i parë i këtij sporti, ku strategjia e fuqia janë në një vend. Synim i kësaj organizate është që të futet në kalendarin e sporteve të Lojërave Olimpike. Shah-boksi ende është më shumë sport rekreativ.
