Sport

Largimi i shpejtë i Gjilanit dhe Drenicës nga objektivat

Prishtinë, 21 shkurt – Skuadra e Gjilanit mori një tjetër goditje të dielën. Ishte një e fuqishme në vazhdën e atyre që i mori në dhjetë ditët e fundit.

Pas eliminimit nga Kupa, Gjilani të dielën pësoi disfatë të thellë nga Llapi. Humbi në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë me rezultatin 3:1, humbje që e largon nga objektivat e këtij edicioni. Gjilanasit kishin synim Kupën si dhe kreun e tabelës. Nga Kupa është eliminuar, ndërsa ka mbetur plot 14 pikë prapa skuadrave lidere, Ballkanit dhe Dritës, që kanë nga 44 pikë.

Dy vendet e para në Superligë sigurojnë daljen në Evropë.

Larg objektivit është edhe Drenica që zë vendin e nëntë (parafundit), pozitë që nuk siguron mbijetesën. Drenica asnjëherë nuk është larguar nga Superliga.

Largimin nga objektivat e ka pranuar trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli. Skuadra e tij një javë më parë lëshoj pikë po ashtu, duke barazuar me Feronikelin.

Sokoli ka thënë se goli i hershëm i pësuar që në hapje të pjesës së parë çrregulloi sistemin e lojës. Ai ka thënë se gabimet e shumta në mesfushë ndikuan që skuadra gjilanase të pësojë humbje nga Llapi.

Në fitoren e llapjanëve golashënues ishin Elvis Prençi (3’), Mentor Zhdrella (47’) dhe Kushtrim Shabani (90+1’), ndërsa golin e vetëm për gjilanasit e shënoi Gerhard Progni në minutën e 53-të.

Sokoli me Gjilanin ka nënshkruar marrëveshje deri në fund të këtij edicioni, ndërsa në pozitën e trajnerit e ka zëvendësuar të larguarin Gentjan Mezani. Por, është larg asaj që Mezani pati arritur me Gjilanin stinorin e kaluar. Në profilin e Gjilanit në “facebook” pati reagime të shumta nga adhurues të klubit. Nuk janë pajtuar me situatën dhe mungesën e rezultateve. Kanë kërkuar përgjegjësi për rezultatet e dobëta.

“Mendoj që ekipi në pjesën e parë nuk ishte i përgjegjshëm në momente. Goli i pësuar herët çrregulloi shumë elemente. Në pjesën e dytë dëshira ishte e madhe, por nuk arritëm qëllimin, për shkak të gabimeve të shumta në mesin e fushës. Edhe pse ka ende ndeshje për t’u luajtur, çdo ndeshje prish plane. Pati shumë konfuzione gjatë lojës”, ka thënë Sokoli pas ndeshjes. Gjilani zë vendin e katërt me 30 pikë pas 20 ndeshjeve. Deri në fund kanë mbetur edhe 16 xhiro.

Gjilanin e pret një tjetër përballje e vështirë pas pak ditësh. Përballë do ta ketë liderin, Ballkanin, ndërsa ndeshje e vështirë e pret edhe Drenicën. Skuadra kuqezi do të luajë në Drenas ndaj Feronikelit. Vetëm Besa e fundit (10) ka më pak pikë se Drenica.

Te Drenica kanë vlerësuar se largimi nga objektivat mund të rezultojë me ndryshime në shtabin teknik. Ekipi drejtohet nga Bledar Devolli. E ardhmja e Devollit te Drenica do të vendoset pas ndeshjes kundër Feronikelit, ka thënë të dielën kryetari i klubit, Ilir Veliqi.

“I kemi bërë disa ndërrime, të cilat kanë qenë të nevojshme dhe të arsyeshme. Loja kundër Prishtinës ka qenë goxha e mirë, kurse ndaj Besës kishim mbi 20 raste, por topi nuk hynte në portë. Ne kemi nevojë për rezultate, pra jemi në presion të rezultateve dhe pres të reflektojmë pozitivisht nga ndeshja kundër Feronikelit. Pesë ekipe luftojmë për mbijetesë pa llogaritur Besën. Është e vërtetë që jemi në dritë të kuqe, por e njëjta ngjyrë është edhe për ekipet e tjera. Edhe po të fitonim ndaj Besës, nuk do të siguronim asgjë, por vetëm se e kishim larguar stresin dhe do ta largonim presionin e rezultateve. Nuk dyshoj në mbijetesë. Trajneri e ka ndeshjen me Niklin dhe nëse merr rezultat pozitiv, vazhdojmë, nëse jo i kemi opsionet e tjera. Drenica është më e madhe se çdo individ. Unë mendoj se kemi ekip dhe lojtarë me përvojë si nga Superliga e Kosovës ashtu edhe ajo e Shqipërisë. Mendoj se kemi kapacitet për të qenë më lart në tabelë”, ka thënë Veliqi të dielën për KOHËN.

Drenica nuk ka fituar asnjë prej tetë ndeshjeve të fundit në Superligë. Por, trajneri Devolli ka besim se Drenica do të mbijetojë.

“Kam besim tek ekipi që kemi bërë të gjithë dhe te puna e të gjithëve. Janë edhe 16 ndeshje dhe në lojë janë 48 pikë. Ndërkohë jemi pesë ekipe aty, pra me dy fitore shkon në vend të pestë. Unë për Drenicën kam refuzuar dy oferta të klubeve me emër më shumë se Drenica, me pagë dyfish më të madhe se këtu. Por, kam nisur një punë dhe dua ta çoj deri në fund me sukses. Kam qëndruar për presidentin e klubit dhe kryetarin e komunës që më kanë plotësuar çdo kërkesë dhe kemi bërë ekip shumë të mirë”, ka thënë Devolli për KOHËN.

***********

Java XX

E diel

Llapi – Gjilani 3:1

(Shënues: Prençi 3’, Zhdrella 47’, Shabani 90+1’ – Progni 53’)

Ballkani – Feronikeli 1:0

(Shënues: Daku 82’)

E shtunë

Drita – Trepça ’89 1:2

(Shënues: Rexha 80’ – Azemi 14’, Shala 45+1’)

Drenica – Besa 0:0

E premte

Arbëria – Prishtina 0:4

(Shënues: Abazi 9’, 21’, Kryeziu 37’, Krasniqi 90+2’)

1. Ballkani 20 14 2 4 47:25 44

2. Drita 20 13 5 2 32:15 44

3. Prishtina 20 11 5 4 33:13 38

4. Gjilani 20 8 6 6 20:20 30

5. Trepça ’89 20 7 4 9 22:29 25

6. Feronikeli 20 5 9 6 23:18 24

7. Llapi 20 7 2 11 24:25 23

8. Arbëria 20 6 4 10 18:25 22

9. Drenica 20 5 5 10 12:28 20

10. Besa 20 1 4 15 13:46 7

Në xhiron e 21-të, më 23/24 shkurt, takohen: Gjilani – Ballkani, Trepça ’89 – Llapi, Feronikeli – Drenica, Besa – Arbëria, Prishtina – Drita