Sport

KV Skënderbeu, klubi me emrin e madh që synon trofe

Mban emrin e heroit kombëtar që nga viti 1984, kur ishte themeluar nga Sali Shala.

Bëhet fjalë për klubin e volejbollit Skënderbeu”nga Kraishta e Lipjanit, që garon në Superligën e Kosovës në volejboll. Para luftës së fundit drejtuesit e klubit kishin kaluar nëpër shumë vështirësi, shkaku i emrit që mban klubi. Pas luftës Skënderbeu u përball me vështirësi financiare dhe e ndali aktivitetin në vitin 2004.

Klubi është riaktivizuar në viti 2020 dhe tani synon trofe dhe daljen në Evropë. Kryetari Imri Lacaj tregon se klubi e mori emrin Skënderbeu nga Shkolla Fillore e Kraishtës.

“Klubi e ka marr këtë emër për arsye se Shkolla Fillore e fshatit Kraishtë e mban këtë emër. Klubi është themeluar në vitin 1984 nga Sali Shala. Në atë kohë ka qenë problem që të mbahet ky emër për shkak të pushtetit. Kemi rezistuar deri në vitin 2004, e më pas e kemi ndalur aktivitetin për arsye financiare. Nga viti 2020 e kemi riaktivizuar dhe kemi arritur deri në Superligë”, tha Lacaj.

Ai thotë se synimet janë të mëdha. Por për të arritur suksese pret ndihmën e Komunës dhe të donatorëve. Ndihma e Komunës prej 5 mijë eurosh në vitin e kaluar ka bërë që Skënderbeu të jetë ku është aktualisht.

“Komunën e falënderojmë shumë, sepse ato 5 mijë euro që na ka dhënë si ndihmë, ato kanë rënë dhe jemi ku jemi sot. Pra, jemi në top-gjashtë ekipet e Superligës së Kosovës në volejboll. Presim subvencionim më të madh këtë vit nga Komuna e Lipjanit. Ambiciet janë të mëdha për të arritur edhe Evropën si klub. Kështu që presim përgjigje pozitive dhe besoj që kryetari do të na përkrahë në këtë drejtim”, deklaroi kryetari i klubit volejbollistik.

Lacaj thotë se lojtarët luajnë pa paga dhe te gjithë janë nga rrethi i Lipjanit.

“Sa i përket Federatës së Volejbollit, nuk kemi marrë asnjëherë ndihmë nga ajo”, shtoi Lacaj.

Për emrin e veçantë të klubit flet edhe volejbollisti Sadik Shala. Ai thekson se është rritur me klubin e fshatit që sot po përfaqëson edhe Lipjanin.

“Emri i klubit lidhet me emrin e shkollës së fshatit Kraishtë. Në vitin 1984 disa dashamirë të sportit kanë vendosur që edhe klubi të mbajë emrin e shkollës. Që nga atëherë klubi ka zhvilluar aktivitete dhe ne jemi rritur me këtë klub. Për shkak të kushteve financiare klubi ka pasur disa pauza dhe tani është riaktivizuar sërish. I vetmi ekipi në qytetin e Lipjanit që lufton për trofe është Skënderbeu dhe besoj që me angazhimin e të gjithëve mund t’ia arrijmë qëllimit”, deklaroi Shala.

Shala konfirmon se synojnë Evropën.

“Të gjithë lojtarët që janë këtu, pa dallim, të gjithë kontribuojnë për klub, sepse nuk e kemi primare punën në ekip, pasi të gjithë bëjmë punë të tjera. Njëkohësisht po luajmë për qejf, por nëse vjen mundësia dhe nëse rregullohen kushtet në klub, pse jo edhe të paguhemi. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe më shumë mund të them se është shoqërore. Ambiciet janë të mëdha, që të futemi në plejof dhe të kërkojmë edhe titullin e kampionit. Pse jo edhe të luajmë pastaj në Evropë”, u shpreh Shala.

Stinori pranveror në Superligën A të volejbollistëve nis më 12 shkurt. Skënderbeu starton nga pozita e gjashtë me 12 pikë.

Në nivel të lartë, asnjë klub tjetër i Kosovës nuk mban emrin e Skënderbeut. Në Shqipëri është i njohur klubi i futbollit Skënderbeu i Korçës.