KV Skenderaj në konkurrencën e femrave vazhdon të jetë pa palestër ku do të mund të përgatitej maksimalisht. Kjo natyrisht se i vështirëson edhe më shumë punët për ekipin që t’i arrijë objektivat. Volejbollistet e Skenderajt stërvitjet po i kryejnë në palestrën e shkollës së mesme teknike “Anton Çetta” në Skenderaj, dhe pavarësisht kësaj serioziteti nuk mungon. Për trajnerin Ylli Kadriu ky mund të jetë viti i ekipit të tij dhe ai beson se këtë sezon mund të kthehet titulli i kampionit në qytetin e Skenderajt. KV Skenderaj ka fituar katër trofe - një titull kampioni, një Kupë të Kosovës dhe dy Kupa të Federatës. Te Skenderaj janë të vendosur që sivjet ta përsëritin suksesin e para shtatë vjetëve, kur e fituan titullin e vetëm. Trajneri Kadriu thotë me mburrje se ndihet krenar që në përbërje ka vetëm lojtare të qytetit të Skenderajt. Vetëm braziliania Clarisse Benicio Peixoto është e huaj.
“Grupi ynë ndahet në dy pjesë. Shtatë vajza janë me eksperiencë dhe pjesa tjetër është shumë e re. Mendoj që kemi lojtare mjaft cilësore. Këto shtatë që kanë eksperiencë, secila e njeh shumë mirë pozitën e vet, dhe besoj që janë niveli më i lartë në volejbollin kosovar”, ka thënë Kadriu për KOHËN.
Në afatin kalimtar të janarit skuadrat e tjera kanë bërë transferime të mëdha, si me lojtare të huaja ashtu edhe vendore. Trajneri Kadriu thotë se përkundër këtyre përforcimeve ekipet e tjera do të hasin në vështirësi të mëdha kur të përballen me volejbollistet e tij.
“Ekipet e tjera kanë bërë lëvizje shumë të mëdha. Përveçqë kanë marrë nga 4-5 lojtare nga Evropa, po ashtu kanë mbledhur lojtaret më të mira në nivelin kosovar. Normalisht, kjo i favorizon në njërën anë pasi që, në momentin që e ke ekipin më të madh në numër dhe bankën e ke më të pasur, atëherë normalisht që është përparësi e madhe. Unë po shpresoj që të paktën, këto lojtare me përvojë, t’i kemi shëndosh e pa probleme. Do të ballafaqohemi besoj me shumë sukses me gjitha këto ekipe”, tha ai.
Në fakt, KV Skenderaj me sukses veçse e ka nisur pjesën e dytë të sezonit aktual. Në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, KV Skenderaj triumfoi në derbin ndaj M-Technologies me rezultatin 3:1 në sete. Fitoi 3:0 në sete edhe ndaj Fushë Kosovës në ndeshjen e dytë. Elvira Bajraktari është njëra prej lojtareve që dha kontribut të madh në këto dy ballafaqime. Bajraktari u kthye në Skenderaj këtë edicion nga Drita për ta ndihmuar ekipin ta rikthejë titullin.
“Skenderaj është duke punuar intensivisht për të pasur një paraqitje të mirë. E dimë që kundërshtarët kanë bërë përforcime nga jashtë dhe e dimë që është shumë vështirë. Mirëpo, me punën që po e bëjmë po e shohim që kemi mundësi për të fituar. Besoj që në fund do ta fitojmë Kupën dhe Kampionatin e Kosovës”, ka thënë Bajraktari, që shton se skuadra ka kualitet të madh në çdo pozitë.
Bleona Kadriu është një tjetër volejbolliste që doli kampione në vitin 2015. Edhe ajo beson se skuadra është e përgatitur të luftojë në çdo front.
“Po besoj që sivjet kemi ekip mjaft të mirë njësoj siç e kemi pasur edhe në vitet e tjera. Sivjet presim që të dalim kampion dhe do të luftojmë fort. Po punojmë shumë mirë që ta arrijmë këtë rezultat”, nënvizoi Kadriu.
Pas dy fitoreve në po aq ndeshje të stinorit pranveror, KV Skenderaj tani ka 27 pikë dhe është në pjesën e epërme të tabelës. E xhiron tjetër që luhet këtë vikend Skenderaj do të ketë dukshëm punë më të vështirë. Do të përballet me kampionen në fuqi, Dritën.