Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk e ka pranuar si të ligjshëm Kuvendin e “përbashkët” të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK), që për kryetar nxori Besart Barutin. Kështu licenca e FKK-së do të vazhdojë të mbetet e pezulluar deri në mbajtjen e një kuvendi të ri zgjedhor.
KOHA ka siguruar letrën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Xheladin Krasniqi, dërguar sekretarit të FKK-së, Nazmi Gashi.
Në letër shkruan se nga Kuvendi i 27 janarit janë identifikuar gjetje të shumta që bien ndesh me Udhëzimin Administrativ për Themelimin dhe Regjistrimin e Klubeve Publike dhe Private të Sportit.
Në letrën dërguar FKK-së shkruan se janë identifikuar delegatë të cilët në databazën e Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive figurojnë si anëtarë të një klubi, ndërsa në Kuvend kanë votuar për një klub tjetër. Dhe kjo paraqet shkelje.
“Si dhe delegatët të cilët në databazën e KVLFS-së figurojnë si zyrtarë në pozita udhëheqëse në më shumë se një klub të karatesë”, shkruan në fillim të letrës së MKRS-së.
MKRS-ja ka paraqitur edhe rastet e shkeljeve.
Të parin e ka paraqitur Leutrim Pepajn, kryetar të klubit “Yuko” të Deçanit, që sipas MKRS-së është në proces të licencimit. Pepaj në Kuvend ka votuar në emër të klubit të karatesë “E&E Wazari”, si dhe në të njëjtën kohë është anëtar i Kuvendit të klubit “E&E Wazari”.
“Idriz Baruti, kryetar i klubit të karatesë ‘Mitrovica’, në Kuvend e ka përfaqësuar dhe ka votuar në emër të klubit të karatesë ‘Trepça’, ku i njëjti me asnjë dokument zyrtar të sjellë nga FKK-ja në KVLFS, nuk dëshmohet se është anëtar i këtij klubi. Isak Curri, përfaqësues i autorizuar i klubit të karatesë ‘As Prishtina’, i cili ka përfaqësuar dhe ka votuar në kuvend në emër të klubit të karatesë ‘Besa Obiliq’, i cili në këtë klub është anëtar i Bordit në detyrat udhëheqëse. Muhamet Kolgeci, anëtar i bordit në klubin e karatesë ‘Eagle’ dhe në klubin e karatesë ‘K-Dant Drini Prizren’, i cili ka përfaqësuar dhe ka votuar në kuvend në emër të klubit të karatesë ‘K-Dant Drini Prizren’. Shumëzim Krasniqi, anëtar në detyrat udhëheqëse të klubit të karatesë ‘Dardanët’, i licencuar në muajin mars 2023, po ashtu kryetar te klubi i karatesë ‘Dardania’ i licencuar në muajin tetor 2023”, shkruan në njoftimin e MKRS-së për Federatën e Karatesë.
MKRS-ja ka shkruar se janë identifikuar edhe raste kur përfaqësues të klubeve kanë marrë pjesë në Kuvend duke mos qenë fare anëtarë të atyre klubeve, sipas dokumentacionit të dorëzuar gjatë procesit të licencimit.
“Drita Shaqiri, e cila ka përfaqësuar dhe ka votuar në Kuvend në emër të klubit të karatesë ‘As Prishtina’, ku e njëjta me asnjë dokument zyrtar të sjellë nga FKK-ja nuk dëshmohet se është anëtare e këtij klubi. Valon Çelaj ka përfaqësuar klubin e karatesë ‘Peja’ i cili ka nënshkruar për thirrje të kuvendit, ku i njëjti me asnjë dokument zyrtar të sjellë nga FKK-ja, nuk dëshmohet se është anëtar i këtij klubi”, shkruan tutje në letër.
Dhe, sipas vlerësimit të MKRS-së, Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i Federatës së Karatesë së Kosovës nuk ka qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi të Ligjit të Sportit, ndërsa pezullimi i licencës së Federatës së Karatesë së Kosovës do të vazhdojë të mbetet në fuqi pasi që nuk janë përmbushur plotësisht kriteret. Ky pezullim do të vazhdojë deri në mbajtjen e një kuvendi të ri zgjedhor, i cili duhet të jetë në përputhje të plotë me Ligjin e Sportit.
MKRS-ja ka njoftuar se për shkak të pezullimit të licencës, FKK-ja nuk është përfshirë në listën e federatave të kategorizuara për vitit 2024.
KOHA më herët ka raportuar se në shumë klube të karatesë trajnerët janë drejtues e bashkëthemelues. Kjo, sipas MKRS-së, paraqet konflikt interesi.
Baruti mori 26 vota nga 48 delegatë sa ishin pjesëmarrës në fillim të Kuvendit. 22 delegatë, që ishin në mbështetje të kandidatit tjetër për kryetar, Shemsi Shaqiri, e kanë lëshuan Kuvendin.
Grupi që ishte në mbështetje të Shemsi Shaqirit e ka lëshuar sallën me arsyetimin se shtatë klube nuk kanë pasur të drejtë vote për shkak të konfliktit të interesit.
Sekretari i FKK-së, Nazmi Gashi, ka thënë se krerët e MKRS-së kanë rënë në lajthitje të një grupi që sipas tij po e shkatërron sportin.
“Nëse ky është standardi duhet të kthehen si të paligjshme të gjitha kuvendet e mbajtura deri më tani nga të gjitha federatat sportive, përfshirë këtu edhe të pingpongut si e fundit dhe të gjitha para tij. Po shihet qartë tendenca e disa personave brenda MKRS-së për dëmtim kapital të FKK-së. Ne nuk do të ndalemi deri në legjitimimin e FKK-së dhe pastrimin edhe të MKRS-së nga interesat e tyre, sepse nëse diku ka konflikt interesi, pikërisht në MKRS ka plot që operojnë me konflikt interesi e që të gjithë e dinë mirë. Ministri dhe ministrja kanë rënë në lajthitje të një grupi që po e shkatërron sportin përmes MKRS-së. Asnjë nga ato që potencohen nuk janë shkelje, sepse nuk sanksionohen as me ligj, as me Rregullore e as me Statut”, ka thënë Gashi për KOHËN.
Federata e Karatesë mbetet pa licencë, ndërsa Baruti ende nuk është kryetar legjitim i kësaj federate.