Sport

Kush do të pasojë Armend Thaqin e Distria Krasniqin?

Futbollisti i Ballkanit, Armend Thaqi, dhe xhudistja Distria Krasniqi ishin sportistët më të mirë të vitit 2022 në Kosovë, sipas vlerësimit të KOHËS. Pasuesit e tyre do të mësohen të premten mbrëma, kur KOHA për herë të 25-të mban ceremoninë “Sportisti i Vitit”.

KOHA ka traditën më të gjatë të shpalljes së sportistëve të vitit në Kosovë. Nisi në vitin 1997, ndërsa vazhdoi pas luftës në vitin 2000. Prej atëherë, me një ceremoni në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit, ka nderuar rregullisht sportistët që janë shquar me rezultate gjatë vitit.

Atleti Zijadin Kryeziu ishte shpallur më i miri nga gazeta “Koha Ditore” në vitin 1997. Futbollisti Besnik Hasi u shpall më i miri në vitin 2000. Në vitin 2001 më i miri ishte futbollisti Kushtrim Munishi e në vitin 2002 boksieri Luan Krasniqi. Pasi sportistët po dominonin, u vendos që të shpallet sportisti më i mirë dhe sportistja më e mirë. Kështu në vitin 2003 më të mirët ishin karateistët Afrim Latifi e Kaltrinë Krasniqi. Në vitin 2004 çmimet shkuan për Luan Krasniqin e Besire Domanikun.

Dhe në vitin 2005 nisi një epokë që vazhdon ende. KOHA u besoi paraqitjeve dhe potencialit të Majlinda Kelmendit, që u shpall më e mira krahas boksierit Luan Krasniqi, ndonëse ajo ishte në moshë shumë të re.

Në vitin 2006 u shpallën basketbollisti Habib Ademi e notarja Daulina Osmani, ndërsa në vitin 2007 xhudistes Majlinda Kelmendi në skenë iu bashkua hendbollisti Arben Muqolli. Në vitin 2008 pos Majlindës u shpërblye edhe futbollisti Visar Berisha. Në vitet 2009, 2010 e 2011, Majlinda u shpall më e mira e të dy gjinive.

Dhe në vitin 2012, kur Majlinda ishte shkëputur tashmë nga pjesa tjetër e sportistëve dhe po dominonte në ceremoni, u vendos të nxirret nga konkurrenca. Ajo u nderua në forma të ndryshme, por jo duke u shpallur më e mira.

Pasoi një periudhë dominimi e Nora Gjakovës, që skenën e ndau me Shpëtim Idrizin në vitin 2012, Dardan Berishën në vitet 2013, 2014, 2015 e 2017, Herolind Nishevcin në vitin 2016 dhe Akil Gjakovën në vitin 2018.

Në vitin 2019 më të mirët e KOHËS ishin futbollisti Vedat Muriqi dhe xhudistja Loriana Kuka. Viti 2020 më të mirët i kishte Distria Krasniqin dhe Amir Rrahmanin.

Distria e Nora në vitin 2021 fituan medaljet e arta olimpike. Dhe KOHA vendosi që të dyja t’i shpallte më të mirat. Më i miri te sportistët ishte Akil Gjakova.

Vjet u shpallën Distria Krasniqi e Armend Thaqi, ndërsa fituesit e sivjetmë do të zbulohen të premten në ceremoninë që mbahet prej orës 19:00 në hotelin “Emerald” në Prishtinë.

KOHA ndan edhe çmime të tjera në ceremoninë tradicionale. Shpallen edhe sportisti më i mirë i ri dhe sportistja më e mirë e re, si dhe klubet më të mira. “Punëtori Sportiv i Vitit”, “Majlinda Kelmendi”, “Mirënjohja për Vepër Jetësore” dhe “Çmimi i Veçantë” janë çmimet e tjera që KOHA do t’i ndajë në ceremoninë e së premtes mbrëma.

Fituesit e deritashëm

1997 - Zijadin Kryeziu

2000 - Besnik Hasi

2001 - Kushtrim Munishi

2002 - Luan Krasniqi

2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi

2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku

2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi

2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani

2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi

2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi

2009 - Majlinda Kelmendi

2010 - Majlinda Kelmendi

2011 - Majlinda Kelmendi

2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi

2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci

2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova

2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi

2020 – Distria Krasniqi – Amir Rrahmani

2021- Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova – Akil Gjakova

2022 – Distria Krasniqi - Armend Thaqi

2023 - ??

LEXO EDHE: