Sport

Kurtishi, talenti 15-vjeçar që synon trofe me Baselin

Kur nisi të luante futboll, Muhamed Kurtishit ia kishte vënë një synim vetes – të nënshkruajë kontratë profesionale. Këtë synim e realizoi të enjten.

Kurtishi të enjten firmosi kontratën e tij të parë profesioniste me Baselin deri në vitin 2026. Tani sulmuesi i talentuar ka synime edhe më të mëdha.

“Synoj të fitoj shumë trofe me Baselin”, thotë talenti 15-vjeçari i talentuar për KOHËN të enjten.

Ai thotë se mbeti i pafjalë kur kuptoi se të enjten do të nënshkruante kontratën e parë.

“Më dukej si në ëndërr kur babai im më tha se do të shkojmë në zyrë të Baselit për të nënshkruar kontratën e parë profesionale. Nuk besova një herë. Mblodha veten dhe kuptova që diçka e re për mua nis”, ka theksuar Kurtishi.

Kurtishi është nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut. Ai luan si sulmues i krahut të majtë. Ai po zhvillohet te Baseli.

“Jam shumë i lumtur që kam bërë këtë hap para në karrierë. Ka nisur diçka që nuk guxoj të ndalem më. Pres të paraqitem mirë, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshjet që do t’i kem me klubin e Baselit.”, ka thënë lojtari i lindur në Basel. Ai menaxhohet nga agjencia ESHA.

Image

Ai ka shënuar pesë gola në 13 ndeshje për Baselin në Ligën U17 të Zvicrës. Ai pret ta fitojë rastin të luajë ndonjë minutë edhe në ekipin e parë të ekipit zviceran.

“Ëndrra ime është realizuar, ndërsa kam plane të tjera për të ardhmen. Dëshira është që sivjet ta fitoj rastin, por edhe nëse nuk ndodh, do të punoj shumë për të fituar rastin në edicionin e ardhshëm. Dua të fitoj shumë trofe me Baselin. E vlerësoj besimin e Baselit dhe dua t’ua kthej këtë besim me suksese”, ka thënë Kurtishi, i lindur në Basel.

Kurtishi ka një qëllim pas Baselit. Të arrij nivelin e Xherdan Shaqirit, yllit kosovar të Zvicrës. Shaqiri është zhvilluar te Baseli, ashtu si edhe shumë lojtarë të tjerë shqiptarë.

“Xherdani është frymëzim për shumë lojtarë të rinj, edhe për mua po ashtu. Ai ka arritur shumë më karrierë. Uroj të arrij nivelin e Xherdanit”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka shënuar një gol në dy ndeshje për Përfaqësuesen U15 të Zvicrës.

Te Baseli aktualisht janë Leon Avdullahu, Taulant Xhaka, Benjamin Kololli, Dion Kacuri e Albian Ajeti.