Sport

Kuqi: Nuk e kam shkopin magjik

Sport

Shefki Kuqi ka debutuar me humbje në Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra që drejton ish-sulmuesi i Premier Leagues, Feronikeli 74, u mposht 2:0 nga Prishtina, të dielën në Lipjan. Kuqi vlerëson dëshirën e lojtarëve për përmirësim, ndërsa ka theksuar se nuk e ka shkopin magjik për t’i ndryshuar gjërat brenda një muaji.

“Goli i parë ka shumë rëndësi, sidomos në Superligë. Kemi biseduar gjatë tërë javës që mos të marrim gola si ai që pranuam. Një moment moskujdesi dhe pranuam gol. Në pjesën e parë nuk krijuam shumë shanse për shkak të erës, por as Prishtina nuk kishte shumë, pos golit të shënuar”, ka thënë Kuqi. “Në fillim të pjesës së dytë ishte një penallti e kotë. Djemtë e kanë vullnetin dhe dëshirën për të punuar. Unë nuk kam shkop magjik për të ndryshuar gjërat brenda një muaji. Në dy ndeshjet e para nuk është që kemi pasur shumë vështirësi. Detajet e vogla pasi t’i përmirësojmë jam i bindur se do të kemi sukses. Futbollin kosovar e kam përcjellë për kohë të gjatë dhe nuk është që më ka befasuar ndonjë gjë”, ka shtuar Kuqi, që si sulmues kishte karrierë të madhe.