Sport

Kupa e Kosovës - një trofe me gabime drejtshkrimore dhe me shumë histori

Për dekada rresht shumë djersë është derdhur për ta fituar trofeun, që prej së mërkurës është në pronësi të përkohshme të klubit të futbollit Llapi. Ikona të futbollit kosovar, emra të njohur të lojës që kanë dhënë kontribut të madh për sportin e vendit, e kanë ngritur trofeun lart në qiell. Presidentë të vendit, Ministria dhe legjenda Fadil Vokrri e kanë dorëzuar atë.

Kupa e Kosovës në futboll është çmuar dhe vazhdon të çmohet. Trofeu është vlerësuar dhe vlerësohet i veçantë dhe një për të cilin ia vlen të luftohet shumë në fushën e lojës e të derdhet shumë djersë në stërvitje. Kupa është çmuar e çmohet, ndonëse një gabim drejtshkrimor e deri diku edhe absurd është pjesë e trofeut.

“FEDERATA e FUDBOLLIT të KOSOVËS”, shkruan gabimisht në një pllakë të vendosur në pjesën e poshtme të trofeut, pak mbi bazamentin e tij. Në pjesën e epërme të trofeut është një hartë e Kosovës, ndërsa vetë trofeu vlerësohet i veçantë si punim.

Nuk ka shumë të dhëna zyrtare, por zyrtarë të FFK-së thonë se trofeu është punuar në vitin 1993. Kupa është kalimtare, kalon nga njëri fitues te tjetri dhe ka mbetur e pandryshuar për afro tri dekada. Disa vite është kamufluar ajo pjesë e “ndjeshme” dhe gabimet nuk janë dukur shumë. Por pas pastrimit të trofeut, shkronjat kanë dalë shumë në pah.

Kupa nuk është si trofetë e tjerë që ndahen në futbollin modern, por në FFK kanë vendosur t’i mbesin besnik. Thonë se ka arsye për këtë. Dhe gabimet drejtshkrimore kanë mbetur pjesë e trofeut.

Llapi është fitues i fundit i Kupës së Kosovës në futboll dhe për rreth një vit do ta ketë në vitrina trofeun. Pasi llapjanët, përkatësisht trajneri Tahir Batatina e ka “shëtitur” trofeun gjatë dy ditëve të fundit, temë të premten janë bërë gabimet drejtshkrimore në pllakën e trofeut. Ato gabime janë parë edhe më herët, thuajse çdo vit madje, por vetëm të premten kanë bërë bujë. Komente të shumta ka pasur në rrjete sociale, sidomos përqeshëse për FFK-në dhe vetë trofeun. Ka pasur të tillë, ndonëse pak, që kanë mbrojtur ruajtjen e origjinalitetit të trofeut, ndonëse me ato gabime jo të vogla.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës e vlerësojnë unik trofeun dhe thonë se duhet të çmohet vlera historike e tij.

“Ky trofe është unik dhe ka histori. Është punuar në vitet e para të mëvetësimit të futbollit kosovar. Është punuar në ‘Famipa’ të Prizrenit me argjend të pastër dhe ka kushtuar diku me barasvlerë të 7-8 mijë eurove. Normalisht që ato gabime drejtshkrimore janë vërejtur shumë vjet më parë. Por nuk kemi dashur të ndërhyjmë në origjinalitetin e këtij trofeu”, thuhet në një përgjigje me shkrim të FFK-së për KOHËN. Ndryshimi i trofeut nuk është opsion për Federatën. Tradicionalja ka peshë për të.

{gallery}

“Në momentin që gjejmë argjend të njëjtë do të ndërhyjmë për t’i përmirësuar ato gabime. Por assesi nuk duam ta ndërrojmë një trofe që ka kaq shumë histori. Ky trofe dëshmon vazhdimësinë e futbollit dhe kohën e rezistencës e sakrificës së shumë gjeneratave të futbollit të Kosovës. Trofeu u jepet skuadrave fituese në formë kalimtare dhe ato e mbajnë atë deri një ditë para finales së ardhshme. Pastaj e sjellin në FFK që t’i dorëzohet skuadrës fituese pasardhëse. Skuadrave, pasi ta dorëzojnë trofeun, u jepet një kopje për ta mbajtur në lokalet e tyre. Nëse një klub e fiton tri herë radhazi Kupën e Kosovës, atëherë bëhet pronar i trofeut origjinal dhe më pas bëhet trofeu i ri me formën dhe përmbajtjen e njëjtë me argjend. FFK-ja shumë shpejt do ta bëjë edhe trofeun unik për skuadrën kampione”, shkruan në përgjigjen e FFK-së.

Për trofeun dhe gabimet në të është deklaruar edhe Alba Morina, udhëheqëse e sektorit të marketingut në Federatën e Futbollit të Kosovës. Sipas saj, trofeu është punuar në vitin 1993 dhe ka qenë “Kupa e Presidentit”.

“Asnjëherë nuk është ndërhyrë në gravimin e saj për shkak të rëndësisë, për faktin që kjo kupë është punuar nga presidenti historik dhe për të mos ia humbur origjinalitetin. Kjo kupë nga viti në vit është përcjellë te klubet fituese”, ka shkruar Morina.

Ende asnjë klub nuk e ka fituar tri herë rresht Kupën e Kosovës. Ka pasur raste kur kupa është fituar nga dy herë rresht, por jo nga tri herë.

Prishtina është skuadra më e suksesshme në garën për Kupë, duke e fituar trofeun shtatë herë. Besa, Feronikeli e Liria e kanë fituar nga tri herë, ndërsa Flamurtari dy herë. Trepça, 2 Korriku, Gjilani, Drita, Besiana, KEK-u, Kosova e Prishtinës, Vëllaznimi, Hysi, Trepça ’89 e Llapi e kanë fituar Kupën e Kosovës nga një herë.