Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka thënë se xhudisja Majlinda Kelmendi nuk do të ndalet pas humbjes në Kampionatin Botëror në Budapest.
Kelmendi u eliminua në gjysmëfinale si dhe humbi edhe shansin për medalje të bronztë, ndërsa Kuka ka thënë se “fajtor është ai vet sepse nuk ka veshur këmishën e tij me fat”.
“Si duket arsyeja që mbetëm pa medalje është që kësaj radhe se kisha veshur kmishën time me fat! Përndryshe Majlinda sipas meje ka merituar finalen kundër Japonezes Shishime por shkojmë tutje drejt Lojërave Olimpike, qëllimi ynë final”, ka shkruar ai në Facebook.
Kuka ka kritikuar edhe mediat duke thënë se nuk është pasqyruar mirë suksesi i Distria Krasniqit, që përfundoi në pozitën e shtatë të kategorisë deri në 52 kilogramë.
“E mediave falënderim të veçantë sidomos atyre me tituj pompoz! Si për çudi shumë pak gazetar ose vetëm dy ose tre prej tyre kanë dhanë informacion që Distria Krasniqi me plasmanin në vendin e 7 ka arrit suksesin më të madh në karrierë për të rritur, sa Sportist tjerë të Kosovës kanë plasman ne 8 më të mirë në një Kampionat Botëror në Sporte Olimpike!? Me standardin e Majlindës mos matni sukseset e tjerëve sepse një Majlindë me medaljet e arta në krejt garat e mundshme në Planetin Tokë, populli Shqiptar se ka pas kurrë”, ka shkruar më tej ai.
Në Botërorin e Xhudos pa medalje përfunduan garën edhe Nora dhe Akil Gjakova.