Sport

Kuka tërheq vërejtjen për “rezultatet e dyshimta” në sport

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, të hënën përmes një postimi ka tërhequr vërejtjen se në vend sërish po u kushtohet rëndësi “sukseseve” të paraqitura në sport, e që në fakt nuk kanë ndonjë vlerë të madhe. Përcaktimi i sukseseve të vërteta në sport ka qenë sfidë në Kosovë për më shumë se dy dekada. Dhe Kuka thotë se kjo sfidë vazhdon të jetë edhe tani. Ai është prej trajnerëve të xhudos më të mirë në botë dhe trajneri bindshëm më i suksesshëm shqiptar. Ka tri medalje të arta olimpike dhe shumë medalje botërore e evropiane, ndër të tjera.

“Trumbetimi i sukseseve pa asnjë vlerë po ngre kokën prapë në Kosovë. Në fakt, Olimpiada po vjen e normat olimpike nuk po shihen në sfond”, ka shkruar Kuka.

Aktualisht vetëm xhudistët janë në zonën që sigurojnë normë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Olimpiada e ardhshme mbahet pas më pak se një viti, ndërsa sportistët e tjerë kosovarë aktualisht nuk janë pranë normave. Dhe gjasat që kjo të ndryshojë janë fare të vogla, bazuar në trendin aktual. Nuk ka ndonjë analizë apo përgjegjësi se pse Kosova nuk ka norma në sportet e tjera. Apo për faktin se pse xhudistët mund të fitojnë norma e sportistët e sporteve të tjera jo. Puna e trajnerit Kuka dhe përkushtimi i xhudistëve të tij vlerësohet të jetë çelësi.

“Sporti serioz rrit imazhin e shtetit e jo garat ‘shou’ e mashtrimet që nuk po na ndahen në Kosovën tonë tash e 24 vjet pas çlirimit”, ka shkruar tutje Driton Kuka.

Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka janë aktualisht në zonën që ua siguron normën për të garuar në “Parisi 2024”. Vetëm sigurimi i normës olimpike vlerësohet sukses i madh.

Së fundi, në Kosovë bëri bujë një mbrëmje boksi. Vendimet e gjyqtarit në dy duele u kritikuan shumë. Meçet nuk ishin për ndonjë titull, ndërsa u zhvilluan në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Federatat sportive shpesh mundohen t’i rritin rezultatet, që në fakt nuk janë ndonjë e arritur. Kjo, ndër të tjera, bëhet edhe për t’i arsyetuar mjetet e majme që marrin nga buxheti i shtetit. Ndërkohë shumë federata, sidomos të sporteve individuale, nuk paraqesin fare rezultatet kur ato janë të zbehta. Të tilla janë shumica. Është praktikë që të lëshohet njoftim për pjesëmarrjen në një garë të caktuar e të mos lëshohet njoftim për rezultatin në atë garë.