Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka dhënë një intervistë për sajtin zyrtar të Unionit Evropian të Xhudos. Kuka e ka dhënë intervistën në prag të garës Grand Prix që prej të premtes mbahet në Portugali. Është gara e parë e vitit në Turin Botëror të Xhudos. Kosova merr pjesë në Grand Prix të Portugalisë dhe kërkon medalje.
Por trajneri Kuka ka thënë se rruga drejt Lojërave Olimpike “Parisi 2024” është prioritet i ekipit të Kosovës në xhudo.
Driton Kuka ka folur më shumë për kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, që nuk garojnë në Portugali.
“Me situatën aktuale jam i kënaqur dhe kam besim se stinori që po fillon do të jetë i mirë për ne. Distria Krasniqi ka ndryshuar kategori pas Tokios dhe ia doli të jetë në top-tri xhudistet e kategorisë deri 52 kg për më pak se një vit. Ajo është fare pranë yjeve Uta Abe e Amandine Buchard. Të dyja janë sportiste të jashtëzakonshme. Distrisë ende i duhet kohë për t’u përshtatur. Por në vitin e parë ajo fitoi Mastersin e po ashtu medalje të bronzta në Botëror dhe Evropian. Ndryshimi i kategorisë nuk është i lehtë, duhet të ballafaqohesh me xhudistë të tjerë që janë më të rëndë e më të fortë. Duhet të përshtatësh stërvitjen dhe formën fizike. Besoj që Distria do të jetë pretendente e fortë për medalje në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’. Ky është lajm i madh”, ka thënë Kuka.
Ai ka treguar se Nora Gjakova ishte për gjashtë muaj jashtë garave për shkak të operimit të krahut. Ka thënë se Nora u kthye fuqishëm me dy medalje në garat Grand Slam. Ka thënë se kategoria e Norës, deri 57 kilogramë, është shumë e fortë.
“Për të dy kampionet, Distrinë dhe Norën, nuk do të shkojmë 100 për qind këtë vit. Ka më shumë të bëjë me përmirësimin në aspektin teknik, taktik dhe fizik. Parisi 2024 është synimi i madh për të dyja. Ne duam të fitojmë medalje si në Rio e Tokio, pavarësisht ngjyrës. Për Kosovën secila medalje olimpike do të shkëlqejë si ari. Ne kemi vetëm 1500 xhudistë dhe popullatë prej 1,8 milionësh. Rruga drejt Parisit është top-prioriteti ynë. Natyrisht Botërori në Doha do të jetë momenti kryesor i vitit 2023”.
Driton Kuka ka folur edhe për rritjen e ekipit të Kosovës. Ka thënë se Laura Fazliu është xhudistja që duhet të shikohet dhe se ka potencial të madh. Ka përmendur edhe Loriana Kukën e Akil Gjakovën.
“Në total kemi deri në 15 seniorë në ekip, që nuk është keq. Meritojmë të fitojmë shumë medalje në Turin Botëror. Ndërsa në Los Angeles 2028 përfundimisht do të kualifikohemi me ekipin e kombinuar. Për Paris do të isha i befasuar nëse kualifikohemi si ekip, por katër vjet më pas nuk do të jetë problem. Aktualisht po punojmë me 50 sportistë në baza ditore. Besoj shumë se do të jemi të suksesshëm në 20 vjetët e ardhshëm. Falë programit ‘Kosova shtet i xhudos’ ne jemi në pozitë shumë të mirë. Për tre vjet do të presim sportistët në qendrën e re stërvitore. Do të jetë hap shumë i rëndësishëm”, ka shpalosur Kuka synimet.
Ai ka pasur oferta për të punuar në vende të ndryshme pas suksesit në Rio 2016, e sidomos pas suksesit në Tokio 2020.
“E dua vendin tim. Dhe është shumë mirë që e shoh xhudon kosovare që rritet vazhdimisht. Dua të ndaj punën time me asistentët. Nuk do të kem asnjë problem nëse trajnerët si Majlinda Kelmendi do të jenë më të suksesshëm se unë. Nëse ndodh kjo, unë do të festoj në tribuna. Apo në shtëpi përpara televizorit. Nuk e shoh veten si trajner të një vendi tjetër”, ka theksuar Kuka.
Njëri prej trajnerëve më të mirë të xhudos në botë ka theksuar se vazhdon të ketë emocionet e njëjta për sukseset e arritura, por nuk e ka më stresin që e kishte dikur.
“Në Mastersin në Tokio një prej asistentëve më pyeti se a i shijoj edhe më tutje medaljet. Natyrisht që po. Jam emocional si më parë, por nuk e kam stresin që e kisha në të kaluarën. Po mësohem për të deleguar punët. Stili i punës është bërë më i mirë, pa dyshim. Stresi për mua do të thotë të udhëtoj, të mos jem në sallën e stërvitjes. Përfundimisht po udhëtoj më pak se para Tokios”, ka theksuar Kuka, trajneri që mund të mburret me tri të arta olimpike dhe shumë medalje botërore e evropiane.