Trajneri i xhudos, Driton Kuka nuk e kishte menduar se Kosova do të arrijë që në një kampionat Evropian të jetë e para në renditje. Kuka të dielën për emisionin Sporti Total të KTV-së ka theksuar se në Evropian xhudistët kosovarë kanë bërë sensacion. Kosova në kampionatin Evropian që u mbajt këtë fundjavë në Lisbonë të Portugalisë fitoi tri medalje. Kosova e Turqia janë të vetmet që kanë fituar nga dy medalje të arta. Të artë për Kosovën ishin Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, kurse Nora Gjakova u rendit e treta, derisa Loriana Kuka e Laura Fazliu u renditën të pestat. Me këtë plasman, Kosova ka lënë prapa superfuqi të xhudos e të sportit. Krejt kjo falë punës së jashtëzakonshme të Driton Kukës dhe xhudistëve të tij.
“Pas përfundimit të të gjitha kategorive pas përfundimit të tri ditë garash dhe në plasmanin përfundimtar Kosova për herë të parë është ekipi më i fortë në xhudos evropiane në një kampionat zyrtarë evropian për të rritur. Të them të drejtën kjo nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje se do të ndodh por që një ekip i vogël por shumë punëtor një ekip i cili individualisht gjithmonë i ka sjell suksese Kosovës, prej medaljeve të nivelit më të vogël e deri te medalje Olimpike. Por që në një kampionat evropian Kosova të arrij që në plasmanin përfundimtar të bëhet ekipi më i suksesshëm këtë me të vërtet nuk e kam menduar diçka e jashtëzakonshme po shpresoj që diçka e tillë të përsëritet edhe në të ardhmen në xhudo apo ndonjë sport tjetër por me të vërtet do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Për mua kjo është sensacionale”, ka thënë Kuka.