Ekipi i Unionit Evropian të Xhudos (EJU) ka qëndruar në Pejë për stërvitjen e fundit të xhudistëve elitarë të Kosovës në prag të Kampionatit Evropian të Hapur të Xhudos që të shtunën mbahet në Prishtinë.
Nën urdhrat e kryetrajnerit Driton Kuka, xhudistët e Kosovës kanë stërvitur në Pejë të premten paradite. Kosovën në Evropianin e hapur e përfaqësojnë Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova e Dardan Cena.
Stërvitja e së premtes nuk ka dalluar me stërvitjet e tjera të xhudistëve kosovarë para garave të rëndësishme.
“Natyrisht unë jam më i nervozuar se zakonisht. Nuk jam mësuar të jem në shtëpi një ditë para garave të rëndësishme. Familja ime nuk është mësuar po ashtu. Garuesit dhe trajnerët dinë si të më qasen kur jam i stresuar. Është gjë e re për anëtarët e familjes”, ka thënë Kuka për EJU.
Ai vlerësohet më meritori për sukseset kulmore të xhudos kosovare.
Stërvitja e së premtes ka zgjatur rreth 90 minuta, ndërsa nuk kishte ngarkesë të madhe. Alarmi i telefonit ka sinjalizuar përfundimin e serive të ushtrimeve. 12 xhudistë ishin në stërvitje, që kanë punuar të shoqëruar nga tre trajnerë. Salla ishte kryesisht e qetë, ndërsa është dëgjuar kryesisht kryetrajneri Kuka. Ai është asistuar nga Majlinda Kelmendi, kampionia olimpike.
EJU-ja ka paraqitur sukseset e Kosovës në xhudo. Medaljen e parë evropiane, titullin e parë evropian, medaljet botërore e pastaj ato olimpike.
Janë përmendur sukseset e Majlindës, Norës, Distrisë, Laura Fazliut.
“Jo keq për një vend me dy milionë banorë. Tani është koha për tjetër gjë të parë: Kampionati i Hapur Evropian do të mbahet në Prishtinë të shtunën prej orës 10:30. Kosova e organizon ngjarjen për herë të parë. 40 garues nga 27 vende do të garojnë për 300 mijë euro sa është fondi shpërblyes. Dy fituesit marrin nga 55 mijë euro”, ka shkruar EJU.
Trajneri Kuka shpreson se çdo gjë do të shkojë mirë të shtunën.
“Duam të kemi figurë të mirë si nikoqirë. Duam të vlerësohemi mikpritës dhe të sjellshëm. Duam të lëmë përshtypjet më të mira”, ka thënë Kuka, që ka vazhduar.
“Si trajner natyrisht dua që të kemi rezultate të mira nga sportistët tanë. Do të isha shumë i lumtur me një medalje para tifozëve tanë. Ne jemi Kosova, vend i vogël. Nuk mund të fitojmë rregullisht, do të ishte joreale. Nuk do të më dëgjoni kurrë të flas për arin. Nuk është në stilin tim”.
Distria Krasniqi është bartësja e parë të shtunën. Nora Gjakova është bartësja e dytë. Të dyja janë kampione olimpike dhe mund të takohen në finale. Toni nuk dëshiron të flasë për këtë.
“Marrja e dy vendeve të para qartë se nuk do të dëmtonte imazhin e Federatës së Xhudos së Kosovës”, ka përfunduar shkrimin EJU-ja.