Sport

Kuç shkroi histori te Mali i Zi

Mali i Zi shënoi fitore ndaj Libanit të enjten mbrëma në ndeshjen miqësore, ndërsa gjurmë la kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç. Mesfushori Kuç hyri në historinë e futbollit të Malit të Zi me dy gola të shënuar në fitoren 3:2. Të dy golat e Kuçit ishin mbresëlënës. Të parin e realizoi me gjuajtje shumë të fuqishme në minutën e 16-të. Tre minuta më vonë vrapoi nga zona e 16 metërshit të portës së ekipit të tij dhe e përfundoi aksionin me gol pas asistimit të Driton Camajt. E debutimin te Mali i Zi, Kuç e vlerëson përrallor.

“Gjithmonë kam besuar se një ftesë do të vijë. Falënderoj Zotin që ajo ëndërr u bë realitet. Zoti më shpërbleu për atë që kam kaluar në jetë dhe në karrierë”, ka thënë Kuç të premten për KOHËN.

“Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën e gëzimit. Vetëm kur nisi himni e kuptova se sa e mrekullueshme ishte dhe çfarë kënaqësie ishte. Shënova dy gola në debutim dhe jam i vetmi lojtar në histori që e bëj një gjë të tillë. Nuk ka mundur të jetë nisje më e mbarë se kjo për mua, por kjo nuk do të thotë se unë duhet të ndalem. Mendoj se ende ka vend për përmirësim dhe se mund të jap ndihmën time për ekipin shtetëror”, ka shtuar ai.

Mesfushori i Ballkanit është prej lojtarëve të padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Ilir Daja, ndërsa te Mali i Zi u grumbullua për herën e parë. Rrugën deri këtu Kuç e ka vlerësuar të vështirë e të mundimshme. Megjithatë, karakteri i fortë nuk e ka lejuar atë të dorëzohet.

“Të gjithë më kanë pritur shumë mirë nga dita e parë. Ndieja se kam qenë këtu për kohë të gjatë. Të gjithë janë të lumtur për mua, sepse ata e dinë se sa e vështirë është rruga në futboll”, është shprehur Kuç.

29-vjeçari të enjten mbrëma luajti deri në minutën e 65-të, në ndeshjen që u zhvillua në Podgoricë. Paraqitjen e tij ndaj Libanit e vlerësoi edhe selektori Miodrag Raduloviq.

“Ai është kapiten i një skuadre që luan në garat evropiane për kohë të gjatë. Mund ta shihni eksperiencën dhe gjakftohtësinë e tij. E përgëzoj për golat dhe debutimin, ai e meriton këtë”, ka thënë Raduloviq pas fitores ndaj Libanit.

Miqësorja me Libanin i parapriu duelit të vështirë që Mali i Zi e luan në udhëtim te Serbia. Por shkëlqimi i Kuçit tregon se ai është kandidat edhe për ndeshje kualifikuese te përfaqësuesja malazeze. Më 17 tetor Mali i Zi luan në Beograd kundër Serbisë, në ndeshjen e Grupit G në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani. Hungaria është e para në grup me 10 pikë në katër ndeshje. Serbia në pesë ndeshje ka dhjetë pikë, dy më shumë se Mali i Zi. Bullgaria dhe Lituania kanë nga dy pikë.

“Selektori do të vendosë nëse unë do të luaj apo sa jam i gatshëm të luaj. Mund t’ju garantoj se do ta përdor çdo minutë në mënyrën më të mirë të mundshme. Një ndeshje shumë e vështirë na pret, por unë besoj në skuadrën e bashkuar. Mendoj se kemi kualitetin për të arritur synimet që i kemi”, ka thënë Kuç, që natyrisht se shpreson të luajë në një ngjarje të madhe me Malin e Zi në të ardhmen.

“Mund të them se jam krenar me këta djem. Gjithmonë do ta jap më të mirën dhe u takon trajnerit dhe bashkëpunëtorëve të tij për të vendosur se si dhe në çfarë mënyre mund ta ndihmojnë ekipin të arrijë suksese”, ka deklaruar mesfushori i Ballkanit.

Mali i Zi ciklin kualifikues në nëntor e mbyll me ndeshjen në shtëpi kundër Lituanisë dhe në udhëtim te Hungaria.