Sport

Kuç, nipi i shqiptarëve që dëshiron të luajë për Kosovën

Është pjesë e Ballkanit për tri vjet. Jeton në Suharekë me bashkëshorten dhe vajzën, pak metra larg stadiumit të qytetit.

Është ky Edvin Kuç, boshnjaku nga Rozhaja e Malit të Zi. Mesfushori tregon se e ëma e tij ka prejardhje shqiptare. Kuç këtë e thotë në gjuhën shqipe.

“Unë jam Kuç, kurse nëna ime Muriq. Nëna dhe gjyshi i saj janë nga Kosova. Kur e ka kuptuar gjyshi që unë kam ardhur të luajë në Kosovë, është gëzuar shumë. Ai e ka harruar pak gjuhën shqipe. Unë kam parë foto të gjyshit me plis”, u shpreh Kuç për KOHËN, të martën.

Më pas Kuç vendosi të flasë anglisht. Ai e kupton gjuhën shqipe dhe e flet mjaftueshëm për të komunikuar me shokët e ekipit.

Kuç ishte paragjykuar kur kishte ardhur te Ballkani, në janar të vitit 2019, për prejardhjen e tij. Por sqaron se nuk e ka pasur asnjë telashe në Suharekë.

“Suhareka është për mua si shtëpi e dytë. Prej ditës së parë më kanë pranuar shumë mirë. Njerëzit këtu janë mikpritës dhe shumë të mirë. Kam krijuar shumë shokë për jetë, jo vetëm në futboll, por edhe jashtë futbollit. Jam shumë i lumtur këtu dhe e falënderoj Suharekën dhe njerëzit e Suharekës për gjithçka. Këtu jemi tashmë disa vjet dhe me familjen time nuk e kemi pasur as problemin më të vogël. Të gjithë na ndihmojnë për çka kemi nevojë”, deklaroi Kuç.

Mesfushori ka qenë skeptik kur kishte marrë ofertën e Ballkanit. E kishte bindur babai i tij.

“Kur erdhi thirrja nga Ballkani, isha paksa skeptik. Jo i frikësuar por skeptik, sepse nuk dija asgjë për kampionatin e Kosovës. Doja të bëjë një ndryshim apo transferim në karrierën time dhe doja të rrezikoja. Dhe për herë të parë e dëgjova babanë tim pasi deri atëherë të gjitha vendimet i kam marrë vetë. Ai më tha se transferimi në Kosovë është lëvizje e mirë dhe e dëgjova për herë të parë dhe jam këtu tashmë tri vjet. Nuk kam besuar se do të qëndrojë kaq gjatë sepse kontratën e parë e firmosa për një vit. Por tani si po shkojnë punët do të qëndrojë këtu gjatë tërë karrierës sime”, u shpreh Kuç.

Vitin e kaluar 28-vjeçari mori edhe shiritin e kapitenit, falë paraqitjeve dhe personalitetit që ka krijuar. Thotë se për të është nder dhe përgjegjësi, ani pse në ekip i cilëson kapitenë të gjithë bashkëlojtarët.

“Është nder i madh dhe përgjegjësi për mua të jem kapiten. Padyshim se është shpërblim për mua sepse kam kaluar këtu tri vjet dhe falënderoj klubin, trajnerët, bashkëlojtarët për këtë. Te Ballkani të gjithë jemi kapitenë sepse jemi si familje. Të gjitha që i bëjmë, i bëjmë së bashku me bashkëlojtarët dhe trajnerin. Unë e barti shiritin, por të gjithë jemi kapitenë”, tha ai.

Ëndrra e mesfushorit është që ta fitojë titullin e kampionit. Këtë vit beson që do t’i gëzojnë tifozët e Ballkanit.

“Ballkani gjithmonë ka synime të mëdha. Dy edicionet e kaluara i kemi humbur trofetë në ndeshjet e fundit. Këtë edicion jemi në rrugë të mbarë, jemi në pozitën e dytë me një pikë më pak se lideri dhe jemi ne çerekfinale të Kupës. Mendoj se këtë vit do t’i gëzojmë tifozët tanë sepse Ballkani dhe Suhareka e meritojnë këtë”, theksoi Kuç.

Ai nuk është ftuar asnjëherë nga Përfaqësuesja e Malit të Zi. Thekson se po të marrë ftesë nga Kosova, do ta pranojë.

“E kam thënë edhe më parë, e pranoj ftesën nga Kosova me kënaqësinë më të madhe. Federata dhe njerëzit në Kosovë me njohin sepse luaj këtu tashmë tri vjet. Ata i dinë cilësitë e mia dhe personalitetin, prandaj e pranoj. Nga Mali i Zi nuk pres ftesë sepse e di që Mali i Zi, federata atje, nuk e respekton shumë ligën e Kosovës. Por, kurrë nuk i dihet dhe ndoshta një ditë do të luaj për Kosovën”, thotë Kuç.

Ai falënderon të gjithë që e kanë përkrahur.

Edvin Kuç ka kontratë me Ballkanin deri në verën e këtij viti. Vlerësohet ndër futbollistët më të mirë në pjesën defanzive të mesfushës. Si fëmijë ishe marrë edhe me kikboks, sport të cilin e kishte ushtruar për dy vjet e gjysmë.