Sport

Kthimi i Zekirija Ramadanit në Kosovë për titullin e tretë

Zekirija Ramadani ka drejtuar dy skuadra në Kosovë – Trepçën ’89 dhe Feronikelin. Me të dyja ekipet kosovare ka qenë i suksesshëm. Në vitin 2017 e fitoi titullin me skuadrën nga Mitrovica, kurse me atë të Drenasit dy vjet më vonë. E titullin e tretë të tij në Kosovë, Ramadani e synon me klubin Prishtinës, i cili nuk e ka fituar trofeun më të çmuar në vend që nga viti 2013.

Ramadani ka disa ditë që i është bashkuar klubit më të trofeshëm në Kosovë. Prishtinën e ka udhëhequr në përgatitjet për edicionin e ri në Durrës të Shqipërisë. Mirëpo, vetëm të mërkurën është zyrtarizuar si trajner i ri klubit “bardhekaltër”, duke e zëvendësuar të larguarin, Armend Dallku. Për Ramadanin, ky është kthimi i katërt në Kosovë dhe synim i tij dhe klubit kryeqytetas është titulli i kampionit. Prishtina edicionin e fundit arriti të triumfonte në Kupën e Kosovës. Ramadani e pranon se do ta ketë përgjegjësi të madhe për ta udhëhequr Prishtinën drejt titullit të kampionit. Por, ai ka besim se së bashku me lojtarët e tij do t’ia arrijnë këtij qëllimi. Stolin e Prishtinës ai e ka provuar vetëm të mërkurën kur është prezantuar, kurse atë synon ta ruajë gjatë.

“Rezultatet e mbajnë një trajner dhe unë shpresoj që t’i arrij dhe pastaj të shohim se a do të qëndroj gjatë apo jo, suksesi është në radhë të parë”, ka thënë Ramadani në një intervistë dhënë të mërkurën KOHËS.

Trajneri 42-vjeçar karrierën si trajner e ka nisur te skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut, Shkupi. Ka drejtuar edhe Flamurtarin e Vlorës, derisa me dy skuadrat që ka punuar në Kosovë, Trepçën ’89 dhe Feronikelin, ka fituar titullin e kampionit. Me 89-shin në vitin 2017, kurse me Feronikelin në vitin 2019. Te Feronikeli punoi edhe në vitin 2017 dhe kjo është hera e katërt që vjen në Kosovë. Me të dyja këto ekipe, Ramadani është paraqitur edhe në kupat evropiane. Ai pranon se futbolli i Kosovës është bërë joshës dhe shumë konkurrues. Madje, ka shtuar se shumë skuadra do të luftojnë deri në fund të edicionit 2020/21 për titullin e kampionit.

“Prishtina gjithmonë e kërkon titullin. Me punë, seriozitet dhe disiplinë mund t’ia arrijmë ta fitojmë titullin. Patjetër që titulli i kampionit do sakrificë dhe disiplinë, gjë që mendoj se mund t’ia arrijmë për ta shijuar titullin. Nuk është si premtim, por thjesht e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Na pret punë e madhe dhe një kampionat maratonik duke ditur se për një kohë të shkurtër duhet të luhen gjashtë ndeshje. Ekipi që ka grupin më të shëndoshë mund t'ia dalë në fund”, është shprehur ai.

Ai insiston se me ekipin që ka në dispozicion te Prishtina për edicionin e ri mund ta fitojë titullin. Ramadani thotë se nuk do të kishte pranuar ofertën e Prishtinës nëse nuk do të kishte besuar në një gjë të tillë.