Sport

Kthimi i shumëpritur i Akil Gjakovës në nivelin më të lartë

Ka shumë vjet që Akil Gjakova është xhudisti më i mirë në vend e po ashtu njëri prej top-sportistëve të Kosovës. Por ka kaluar periudhë goxha e gjatë që 27-vjeçari nuk shfaqi shumë nga potenciali që kishte.

Më 16 prill të vitit 2021, Akili kishte fituar titullin e kampionit të Evropës. Në korrik të atij viti ishte renditur i shtati në Lojërat Olimpike, që ishte sukses tjetër madhor. Më pas kishte telashe me lëndime dhe rënie të formës. Në qershor të vitit të kaluar fitoi medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare. Ndërkohë iu nënshtrua një operimi të krahut dhe në gara u kthye vetëm në maj të këtij viti. Në katër gara rresht ishte i shtati, ndërsa në gusht në Zagreb ishte i pesti.

Te medalja xhudisti pejan u kthye të mërkurën. Shkëlqeu gjatë tërë ditës dhe u rendit i dyti në kategorinë deri 73 kg në Grand Slamin në Abu Dabi. I fitoi 700 pikë, që e stabilizojnë në zonën që siguron normë për lojërat olimpike “Parisi 2024”.

“Është medalje e rëndësishme dhe në të njëjtën kohë biletë për Lojëra Olimpike”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai nuk ishte me Akilin në Abu Dabi. Ka vazhduar punën me pjesën tjetër të ekipit për Kampionatin Evropian, që mbahet pas pak javësh. Akilin e udhëhoqi Fatos Tabaku, ndihmësi i Kukës.

“Akili ishte shumë afër që ta fitonte edhe finalen, ku pati paraqitje të denjë. Ishte punë centimetrash hedhja e tij e bukur për uazari. Ai tani është i përgatitur si duhet. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tij në këtë Grand Slam dhe në rrugën në të cilën është”, ka shtuar trajneri Kuka.

Akili nuk ishte bartës në këtë garë. Shënoi pesë fitore, secila më e bukur se tjetra, për të bërë vend në finale. Finalen e fortë e humbi nga Shakhram Ahadov i Uzbekistanit. Ahadov realizoi hedhje për uazari, ndonëse Gjakova e kishte vazhdimisht iniciativën dhe iu afrua shumë hedhjes.

Pesë fitore në një ditë dhe finale e denjë, janë dëshmi që Akili i vërtetë po kthehet.

Paraqitja e Akil Gjakovës është përcjellë me vëmendje edhe nga spanjolli Jose Manuel Cortes, që bëri analizën teknike të dueleve të së mërkurës për sajtin zyrtar të IJF-së.

“Sot vura re Akil Gjakovën. Është nivel i rikuperimit, që është mirë ta shohësh. Ai ka pasur disa rezultate të mira në të kaluarën, por nuk kishte vazhdimësi. Do të ishte shpërblim i madh për ekipin e Kosovës që e gjithë puna të shpaguhet me Akilin. Ne e dimë suksesin e Kosovës me xhudiste, por Gjakova po e shtyn para ekipin e meshkujve. Mund të jetë shkëndija e nevojshme që të rinjtë ta pasojnë edhe me më shumë sukses”, ka shkruar Cortes.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos po ashtu ka përmendur kthimin e Akil Gjakovës. Ka shkruar se forma e tij ishte e shkëlqyer.

“Ai ishte kampion evropian dy vjet më parë, por që atëherë ka përfunduar kryesisht në vend të shtatë. Në Abu Dabi forma e tij dukej e duhura. Shfaqi xhudo të fortë dhe përkushtim gjatë tërë ditës”, ka shkruar IJF-ja.

Unioni Evropian i Xhudos (EJU) ka raportuar se Akil Gjakova është kthyer në formën e vjetër.

“Akili mori pikët shumë të nevojshme për ranglistë, që do t’i mundësojnë ngritjen për disa pozita dhe një pozicion më të mirë për ‘Parisi 2024’”, ka shkruar EJU.

Pas dhjetë ditësh Akil Gjakova do të paraqitet në Kampionatin Evropian. Forma e shfaqur në Abu Dabi e bën atë kandidat serioz për medalje evropiane. Por synimi i tij i madh mbetet Olimpiada. Paraqitje si ajo e së mërkurës e afrojnë Gjakovën me synimin final sportiv.