Më 16 prill të vitit 2021, Akil Gjakova fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian. Më 24 korrik të atij viti u rendit i shtati në Lojërat Olimpike. Në Tokio pati paraqitje të nivelit të lartë, që, megjithatë, nuk iu shpërblye me medalje.
U mendua se koha e Akilit po vinte. Këtë e premtonte edhe vetë xhudisti pejan, tani 27-vjeçar.
Por Akil Gjakova u përball me lëndime e më pas edhe me rënie në formë dhe ulje të motivit për stërvitje. Dhe momenti i tij tjetër kulmor nuk erdhi shpejt.
Në vitin 2022 kishte vetëm një rezultat për t’u përmendur – medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare. Krahasuar me sukseset e mëparshme të tij nuk ishte ndonjë rezultat për t’u veçuar.
Gradualisht Akili, kryesisht i nxitur nga trajneri Driton Kuka, gjeti forcën dhe motivin për t’u kthyer në nivelin më të lartë. Dhe tashmë është kthyer.
Gjatë verës së këtij vitit rreshtoi katër vende të shtata në gara, para se në Grand Prix të Zagrebit të përfundonte i pesti. Kështu po jepte shenjat e para të kthimit në rrugën e duhur. Ngritja e madhe erdhi në Grand Slamin e Abu Dabit, ku fitoi medaljen e argjendtë më 24 tetor. Menjëherë më 3 nëntor fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për seniorë. Dhe që kriza e rezultateve i takon së kaluarës, e dëshmoi të shtunën në Prishtinë.
Në Kampionatin e parë Evropian të Hapur të xhudos, Akili fitoi medaljen e artë.
Festoi me pasion. Doli madje edhe në tribuna për të festuar me familjarë e shokë. Pas garës qëndroi gjatë në sallë për të bërë shumë fotografi e për të pranuar urime. Ishte emocional si asnjëherë më parë.
Me të drejtë. Ai mposhti xhudistët më të mirë evropianë të kategorisë deri 73 kilogramë për ta fituar të artën dhe 55 mijë euro.
Ditën e nisi me fitore ndaj kroatit Robert Klacar. Më pas e mposhti austriakun Lukas Reiter. Në çerekfinale e kaloi azerbajxhanasin Hidayat Heydarov, xhudistin më të ranguar në kategorinë deri 73 kg. Nga Heydarovi kishte vetëm humbje deri të shtunën, katër gjithsej. Në gjysmëfinale e kaloi moldavian Petru Pelivan. Edhe prej tij kishte vetëm humbje, tri gjithsej.
Në finale Akili e mposhti italianin Manuel Lombardo, medalistin e argjendtë nga Botërori i këtij viti.
“Akili përfundimisht është kthyer në nivelin më të lartë. Ka pasur telashe me rezultate, por ato i kalojnë së kaluarës. Potenciali gjithnjë ishte aty dhe ai tashmë është shfaqur. Kthimi në formë ndodhi në momentin më të mirë”, ka thënë të dielën për KOHËN, Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.
Të gjitha luftërat e Akilit ishin të gjata, prej katër deri në tetë minuta. Kjo dëshmon që edhe niveli i tij fizik është i duhuri. I përballoi pa telashe pesë luftëra të forta e shumëminutëshe. Ai kishte hedhje të bukura po ashtu, që i jep edhe më shumë vlerë suksesit në Evropianin e Hapur në Prishtinë.
Akili tani e feston për pak kohë suksesin në Evropianin e Hapur në Prishtinë. Por jo shumë gjatë. Menjëherë do të kthehet në stërvitjet e pakompromis të kryemjeshtrit Kuka. Lojërat olimpike “Parisi 2024” janë në prag. Akil Gjakova e Driton Kuka kanë punë për të bërë që drejt Parisit të udhëtojnë maksimalisht të përgatitur dhe me synime kulmore.