Leotrim Kryeziu po i prin sulmit të Prishtinës në xhirot e fundit. Sulmuesi nga Gjilani ka shënuar katër gola në tri ndeshje rresht. Prishtina ka arritur tri fitore radhazi dhe renditet në vendin e tretë. Ka 21 pikë të mbledhura pas 11 ndeshjeve të zhvilluara. Ka një ndeshje më pak se Drita që është lidere e kampionatit të Kosovës me 30 pikë.
Nga gjashtë golat e Prishtinës në tri duelet e fundit, katër janë realizuar nga Kryeziu. Golin ndaj Dritës, ish-skuadrës së tij, Kryeziu e ka shënuar nga penalltia.
Për Kryeziun është edicioni i tretë te Prishtina. Në edicionin e parë e ka fituar titullin e kampionit (2020/2021). Në edicionin e titullit kishte realizuar nëntë gola, kurse në kampionatin e kaluar kishte shënuar gjashtë gola.
Kryeziu ka thënë të dielën për KOHËN se e ka pritur një fillim të mirë. Sipas tij, besimi që ia ka dhënë trajneri Ismet Munishi i ka ndihmuar shumë që të shënojë, sidomos në ndeshjet e fundit.
“Është e vërtetë që jam duke kaluar një formë shumë të mirë. Shpresoj që të vazhdoj kështu. E falënderoj trajnerin për besimin që ka tek unë. Gjithashtu edhe skuadra është në formë të mirë dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu deri në fund. E kam pritur që të kem start të mirë, sepse kemi punuar shumë. Jam në periudhë të mirë, duke shënuar gola dhe duke i ndihmuar ekipit. Shpresoj që të vazhdoj kështu deri në fund të kampionatit”, u shpreh Kryeziu.
23-vjeçari shprehet i gatshëm që ta udhëheqë sulmin e Prishtinës drejt realizimit të objektivave që kanë kryeqytetasit.
“Sigurisht, jam i gatshëm që t’i prij sulmit të Prishtinës. Unë jam sulmues dhe normalisht që prej meje pritet që të shënoj sa më shumë gola dhe klubi të arrijë objektivat”.
Sulmuesi i “bardhekaltërve” beson se me golat e tij do ta ndihmojë Prishtinën. Madje thekson se Prishtina është e madhe dhe se çdoherë lufton për titull.
“Synimet e mia janë që t’i ndihmoj Prishtinës që të arrijë objektivat. Kemi forcë, sepse kemi ekip të mirë. Jemi duke bërë lojë të mirë. Prishtina është e madhe dhe gjithmonë lufton për titull”, përfundoi Kryeziu.
Si futbollist, Leotrim Kryeziu është rritur te Drita e Gjilanit. Nga klubi gjilanas kishte kaluar në Zvicër te Lugano në verën e vitit 2018. Me Luganon pati vetëm një paraqitje në Superligën helvetike. Luajti shtatë minuta kundër Xamaxit në dhjetor të vitit 2018. Më pas ishte i huazuar te Chiaso për një sezon në Challange League, ku zhvilloi 13 ndeshje. Kryeziu mbahet mend te Lugano për golin e shënuar kundër Interit në një miqësore.
Ka qenë lojtar i rëndësishëm i Kosovës U19. Në gjashtë ndeshje kishte shënuar pesë gola.