Sport

Kroati Jaksha Vuliq ka ardhur te Prishtina për trofe

Pas përvojës dhe trofeve të fituar me disa skuadra të regjionit, trajneri nga Kroacia, Jaksha Vuliq, ka zbarkuar në Kosovë. Ai javën e shkuar është prezantuar te Sigal Prishtina, ndërsa të martën ka nisur punën te skuadra e Superligës së Kosovës.

Para se të vijë në Kosovë, Vuliqi ka punuar në Kroaci, Slloveni e Bosnjë-Hercegovinë, ku sukseset nuk i kanë munguar. Së fundmi ishte trajner i skuadrës së madhe kroate, Cibona, ndërsa në Kroaci ka drejtuar edhe Splitin e Zabokun.

Në Slloveni ka punuar te Heliosi e Tajfun Sentjur, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë ishte te Shiroki. Për një periudhë Vuliqi ishte edhe në Arabinë Saudite – te skuadra Al Ittihad Jeddah. Ai ka fituar një titull në Slloveni si dhe dy kupa në Bosnjë-Hercegovinë. Po ashtu është shpallur kampion Evrope me ekipin U18 të Kroacisë dhe Bosnjës.

Në një intervistë për KOHËN, Vuliqi thotë se ka ardhur te Prishtina për të fituar trofe. Beson se mund ta bëjë një gjë të tillë dhe premton se do të punojë fort.

“Nëpërmjet agjentëve të mi më erdhi oferta e Prishtinës. Fillimisht shikova disa ndeshje të ekipit dhe pas bisedimeve me drejtorin Luan Maloku arritëm marrëveshjen dhe ja ku jam tani në krye të ekipit”, ka thënë Vuliqi, 59-vjeçar.

Nëse nuk do të besonte se te Prishtina do të jetë i suksesshëm, thotë se nuk do të vinte fare. Tekniku kroat e ka parasysh se Prishtina është ekip që në secilin edicion lufton për të gjithë trofetë. Vuliqi ka njohuri për basketbollin kosovar.

“Synimet e Prishtinës janë gjithmonë të mëdha, lufta për trofe. Jemi në garë për tre trofe këtë edicion dhe do të bëjmë të pamundurën t’i rrëmbejmë. Nëse nuk do të besoja se Prishtina mund të fitojë trofe, ju garantoj se as që e kisha marrë parasysh këtë punë. Aktualisht jemi në fazën e njohjes së ekipit edhe më mirë dhe pritjes që disa lojtarë të na kthehen nga lëndimet për t’u kompletuar edhe më shumë”, është shprehur Vuliqi.

Trajneri kroat ka më pak se një muaj kohë për ta bërë gati ekipin për të “sulmuar” trofeun e parë – Kupën e Kosovës. Prej 13 deri më 17 shkurt do të mbahet “Final 8” i Kupës së Kosovës në Gjakovë. Deri atëherë Prishtina pritet të shtojë edhe dy të huaj – qendër dhe fundor.

“Besoj se deri para fillimit të turneut të Kupës do të jemi të kompletuar në çdo aspekt dhe në formën më të mirë të mundshme. Kështu që sigurisht se Kupa është trofeu i parë që do të tentojmë ta marrim”, ka thënë Vuliqi.

Sa i përket basketbollit në Kosovë, Vuliqi thotë se cilësia po rritet nga viti në vit. Shton se klubet po investojnë shumë, ndërsa edhe lojtarët vendorë po rriten me ekipet e tyre.

Aktualisht Trepça është shkëputur si favorite kryesore këtë edicion për trofe dhe këtë e pranon edhe Vuliqi. Por, thotë se edhe Peja, Prishtina e Ylli janë aty afër. Trepça prin me 32 pikë, tri më shumë se Peja, që është e dyta. Prishtina zë vendin e tretë me 28 pikë, ndërsa Ylli është i katërti me 27 pikë të mbledhura.

“Trepça është shkëputur si favoriti i parë, ka përbërje të gjerë, po luan shumë mirë dhe është në formë. Peja, Prishtina dhe Ylli janë një hap prapa, por nuk duhet nënvlerësuar as skuadrat e tjera, sepse për çdo fitore duhet angazhim maksimal”, pranoi Vuliqi.

Vuliqi është vetëm njëri prej trajnerëve të shumtë nga Kroacia që kanë punuar dhe punojnë në basketbollin kosovar. Thotë se një pjesë e madhe e tyre kanë lënë gjurmë këtu dhe sigurisht se edhe ai dëshiron ta lërë gjurmën e tij, duke fituar trofe me Prishtinën.

“Shumë trajnerë kroatë kanë punuar në Kosovë, duke filluar nga Pino Gjergja, doajeni i trajnerëve në Kroaci, dhe kanë lënë gjurmë në basketbollin kosovar. Kur je trajner i Prishtinës, automatikisht do të thotë se synimet janë për të fituar trofe. Historia, tradita, tifozët dhe gjithë trofetë e fituar nga Prishtina deri më tani të obligojnë të kërkosh suksesin”, u shpreh Vuliqi.

Ndeshja e parë e Vuliqit në krye të Prishtinës do të jetë kundër Istogut në fundjavë, në kuadër të xhiros së 18-të të elitës së basketbollit kosovar. Pritet të jetë ngrohje për sfidat e vërteta që e presin kroatin.