Sport

Kriteret që futbollin dhe basketbollin e vendosën në kategorinë B

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll dështoi të kualifikohej në Kampionatin Evropian që mbahet gjatë verës në Gjermani. Si rezultat edhe i moskualifikimit në “Euro 2024”, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk mori asnjë pikë në një prej kritereve të rregullores për kategorizimin e sporteve. Të mërkurën u publikuan rezultatet përfundimtare të kategorizimit të sporteve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Dy federatat më të mëdha në Kosovë, e futbollit dhe e basketbollit, mbetën në Kategorinë B.

FFK-ja ka marrë 83.5 pikë, ndërsa FBK-ja 80.65 pikë. Në Kategorinë B është edhe Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) me 83.2 pikë.

Vetëm tri federata janë në Kategorinë A –e xhudos, hendbollit dhe volejbollit. Pra gjendja nuk ka ndryshuar as pas shqyrtimit të ankesave që ishin bërë në kategorizimin preliminar.

Pos për suksesin ndërkombëtar, FFK-ja pak pikë mori edhe në kriterin e gjithëpërfshirjes. Fitoi vetëm 1.5 pikë. Sipas rregullores për kategorizimin e sporteve, në kriterin gjithëpërfshirës merren për bazë përqindja e femrave sportiste në raport me numrin e përgjithshëm të sportistëve dhe përqindja e përfshirjes së femrës në vendimmarrje.

Për kriterin e organizimit të garave ndërkombëtare, FFK-ja u vlerësua me tri pikë, për masivitet me 34 pikë, e për popullaritet u vlerësua me dy pikë. Dy pikë mori edhe në kriterin e traditës, ndërsa për kapacitete u vlerësua me gjashtë pikë. Për kriterin e organizimit të kampionateve u vlerësua me tetë pikë, ndërsa për kriterin sipas statusit të sportit, FFK-ja mori pikët maksimale - 27.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nuk ka dashur ta komentonte vlerësimin përfundimtar.

Në fakt FFK-ja dhe disa federata të tjera sportive të Kosovës kanë dërguar ankesë në shkallën e dytë. Por, pak pati ndryshime në vlerësim. Pra, thuajse renditja është e njëjtë si ajo preliminare.

Ngritje në renditje dhe me pikë kishin Federata e Sportit Shkollor, Federata e Sportit Universitar dhe Federata e Motoçiklizmit.

Një prej federatave të tjera të mëdha që u ankua ishte Federata e Basketbollit e Kosovës. Por FBK-së nuk iu ndryshuan pikët e as renditja. Mbeti në Kategorinë B.

Në kriterin për rezultate ndërkombëtare nuk mori asnjë pikë as Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Edhe përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka dështuar të kualifikohej në ngjarje të mëdha, Evropian, Botëror dhe Lojëra Olimpike.

FBK-ja ishte më mirë se FFK-ja në kriterin për gjithëpërfshirje. Fitoi tri pikë. Në kategorinë për masivitet mori 34 pikë. Pikët tjera i pati të ngjashme me futbollin.

“Duhet pranuar se komuniteti ynë është i shokuar nga ky vendim dhe vlerësimi që dy federatat më të mëdha sportive dhe dy sportet më të dashura e më të shikuara në vendin tonë kanë gjetur vend në kategorinë B. Ne do ta analizojmë me kujdes vlerësimin e bërë dhe do të ankohemi përkitazi për të kërkuar vendin tonë të merituar si sporti më i popullarizuar dhe më i shikuar në Kosovë”, kishte thënë Arben Fetahu, kryetar i FBK-së.

Federata e Xhudos e Kosovës ka marrë më së shumti pikë – 113.57. Nga rezultatet ndërkombëtare fitoi 58 pikë. Pikë të konsiderueshme mori edhe në kriteret e tjera.

Kategorizimi në sport tashmë është kompetencë e plotë e MKRS-së, ndërsa më herët është bërë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Sipas rregullores, kategorizimit i janë nënshtruar vetëm federatat që janë të licencuara nga MKRS-ja. Rrjedhimisht vetëm federatat e kategorizuara përfitojnë mjete financiare nga MKRS-ja, përkatësisht nga buxheti i shtetit.

Shumë prej federatave varen plotësisht nga mjetet që marrin prej buxhetit të shtetit. Dhe, në vitet e fundit kanë marrë goxha shumë.

Kushti për kategorizim vetëm të federatave të licencuara ka përjashtuar Federatën e Karatesë së Kosovës po ashtu edhe disa federata të tjera.

Edhe sportistët e kategorizuar duhet të jenë të federatave të licencuara. Kategorizohen dhe rrjedhimisht përfitojnë përkrahje financiare nga shteti sportistët me medalje në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike, Kampionate Botërore, Lojëra Evropiane, Kampionate Evropiane, Lojëra Mesdhetare, Kampionate Mesdhetare, Kampionate Ballkanike dhe Kampionate të Kosovës.

Edhe kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve e bën MKRS-ja.

Kategoria A

Federata e Xhudos e Kosovës – 113.57 pikë

Federata e Hendbollit e Kosovës – 87.8 pikë

Federata e Volejbollit e Kosovës – 85.2 pikë

Kategoria B

Federata e Futbollit e Kosovës – 83.5 pikë

Federata e Boksit e Kosovës – 83.2 pikë

Federata e Basketbollit e Kosovës - 80.65 pikë

Kategoria C

Federata Atletike e Kosovës – 73.95 pikë

Federata e Pingpongut e Kosovës – 73 pikë

Federata e Mundjes e Kosovës - 68.8 pikë

Kategoria D

Federata e Skitarisë e Kosovës – 59.81 pikë

Federata e Bodybildingut e Kosovës – 54 pikë

Federata e Notit e Kosovës – 53.06 pikë

Federata e Tenisit e Kosovës – 52.9 pikë

Federata e Gjimnastikës e Kosovës - 51.46 pikë

Federata e Triathlonit e Kosovës – 50.65 pikë

Federata e Kickboxit e Kosovës – 48.215 pikë

Federata e Taekwondos e Kosovës – 46.66 pikë

Federata e Badmintonit e Kosovës – 46.61 pikë

Federata e Çiklizmit e Kosovës – 45.5 pikë

Federata e Sportit Shkollor e Kosovës – 45.2 pikë

Federata e Shahut e Kosovës – 44.57 pikë

Federata e Ragbit e Kosovës – 44.5 pikë

Federata e Autosporteve e Kosovës – 43.42 pikë

Federata e Kajakimit e Kosovës – 42.74 pikë

Federata e Bjeshkatarisë e Kosovës – 42.5 pikë

Federata e Aeronautikës e Kosovës – 42.5 pikë

Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës – 41 pikë

Federata e Golfit e Kosovës – 40 pikë

Federata e Sportit Universitar e Kosovës – 40 pikë

Federata e Bowlingut e Kosovës – 36 pikë

Federata e Motoçiklizmit e Kosovës - 35 pikë

Federata e Bilardos e Kosovës - 33.5 pikë

Federata e Muaythai e Kosovës – 32 pikë

Federata e E-sports e Kosovës – 25.1 pikë