Sport

Krenaria e Kosovës

Ballkani - futboll - sukses

Në këndin e një zyre modeste të klubit të futbollit Ballkani është e vendosur një fotografi e madhe me shkrimin “Champions”. Para fotografisë së përbashkët të lojtarëve, trajnerëve e zyrtarëve të klubit, është një Kupë. Nuk është trofeu i vetëm në zyrë, por dallon shumë prej të tjerëve. Dallon për nga pamja e sidomos për vlerën që ka.

Ballkani i Suharekës është shpërblyer me atë kupë për titullin e kampionit të Kosovës në futboll në edicionin 2021/2022. Sigurimi i titullit, të parit në histori, shënon fillimin e një periudhe të mahnitshme për klubin nga Suhareka. Ballkani gjatë vitit 2022 ka pasur ecuri historike edhe në garat evropiane. Ka arritur deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës, ndërsa ka kërkuar deri në fund edhe kalimin e grupit.

Trofeu i fituar për titullin e kampionit të Kosovës disi ngjanë me trofeun e Ligës së Kampionëve, garës elitare për klubet evropiane të futbollit.

Faza grupore e Ligës së Kampionëve është ende larg për klubet kosovare. Kështu thotë drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi.

“Liga e Kampionëve është akoma larg Kosovës, besoj. Sidoqoftë, jo vetëm Kosovës por gjitha ekipeve këtu në rajon”.

Championsi ndoshta është larg, por jo Liga e Konferencës, niveli i tretë i kupave evropiane në futboll. Ballkani ka dëshmuar se mund të matet me ekipet tjera të Ligës së Konferencës.

Paraqitja e denjë në Ligën e Konferencës dhe sukseset e tjera gjatë vitit 2022, bëjnë që Nexhipi dhe të tjerët te Ballkani të jenë krenarë.

Ballkani u bë skuadra e parë kosovare e futbollit që u paraqit në fazën e grupeve të kompeticioneve evropiane.

Me paraqitjen e dinjitetshme, suharekasit fituan simpatinë e gjithë Kosovës, ndërsa u vlerësuan edhe nga trajnerë e lojtarë të ekipeve kundërshtare.

“Ne kemi qenë krenaria e Kosovës, sepse ka qenë për herë të parë një ekip në këto gara”, thotë me mburrje trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.

Ndonëse në Evropë luajti larg Suharekës, Ballkani fitoi respekt. Përkrahja nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku skuadra kampione i zhvilloi ndeshjet evropiane si vendëse, nuk i mungoi. Madje mbështetja i erdhi thuajse nga e gjithë Kosova.

“Nuk është se kemi pasur përkrahje vetëm të Suharekës apo tifozëve tanë, mirëpo jemi të vetëdijshëm që secili qytetar, secili njeri na ka përkrahur anembanë Kosovës dhe ka qenë krenar me gjithë ato që i kemi arritur ne”, thekson mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi.

Thaqi është shquar me paraqitje te kampioni i Kosovës. Është dalluar sidomos në fazën grupore të Ligës së Konferencës, atëherë kur ishte më së vështiri. Në disa raste, pas golave të shënuar, tifozët kanë thirrur në kor emrin e tij. Kjo për Thaqin ka vlerë të madhe.

“Normal që më ka bërë të ndihem mirë kur gjithë stadium e ka thirrur emrin tim. Është një motiv shtesë shumë i madh për mua për të vazhduar tutje”.

Armendi nga KOHA u shpall sportisti më i mirë i vitit në Kosovë. Nga FFK-ja u shpall futbollisti më i mirë i Superligës. Ai vazhdimisht meritat ua ka lënë gjithë lojtarëve. Dhe vërtetë kontributi në kampanjën historike ishte i të gjithë lojtarëve, por jo vetëm i tyre.

“Kemi pasur motiv jashtëzakonisht të madh pasi që ka qenë diçka e re për ne. Dhe, siç dihet, ekipi ynë ka shumë kualitet, jemi shumë të bashkuar dhe kemi menduar e kemi besuar që do ta arrijmë një gjë të madhe. Dhe e kemi arritur”, thotë sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani. Disa Albionin e quajnë “Lewandowski”, në mbiemrin e sulmuesit të shquar polak. Me të ka nisur të krahasohet për golat e shumtë që i shënonte.

Sulmuesi 22-vjeçar ka shkëlqyer sidomos në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës, ndërsa kontribut ka dhënë edhe në kampanjën që përfundoi me titull të kampionit. Në gjashtë ndeshje kualifikuese në Ligën e Konferencës, Rrahmani i kishte shtatë gola dhe një asistim. Disa prej golave të tij ishin vendimtarë.

Pikët e autsajderit

Prej më të mirëve në rrugëtimin e Ballkanit u vlerësua edhe mesfushori i ri, Lindon Emërllahu.

Pas paraqitjeve të mira, Lindoni mori ftesë nga përfaqësuesja A e Kosovës. Debutoi në moshën 18-vjeçare.

Ai mburret me suksesin e Ballkanit.

“Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi, sepse kemi bërë një edicion të suksesshëm në Evropë. Duke marrë parasysh që kemi qenë për herë të parë, kemi treguar kualitet dhe përvojë të them. Kemi qenë shumë mirë si ekip dhe shpresoj, pse jo, edhe viteve të tjera të vazhdoj siç ka qenë sivjet”, ka deklaruar mesfushori i talentuar.

I gjithë suksesi nuk mund të arrihej pa pasur siguri në portë. Portieri Stivi Frashëri, që ruajti portën në shumicën e ndeshjeve, thotë se paraqitja në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës është ndjenjë e papërshkrueshme.

“Të shkruash historinë për herë të parë në Kosovë, të jesh ndër kryesorët që arrini diçka madhore në këtë statistikë, të bën krenar vetvetiu. Më vjen mirë sepse në momentin e parë që kam ardhur, e kam thënë shpeshherë që nuk e prisja që ky grup do të arrinte kaq shumë gjëra dhe vërtetë është si të thyesh shumë rekorde ose shumë tabu”, thotë Frashëri.

Në formimin e grupit kampion gisht natyrisht ka pjesa e klubit që qëndron jashtë vijave të fushës. Një prej meritorëve është Nderim Nexhipi, drejtori sportiv.

“Me ndeshjet dhe lojërat që kemi bërë, me plot meritë jemi futur në ato grupe dhe me plot meritë kemi luajtur aty me shumë sukses. Unë e them që është sukses. Kemi marrë katër pikë, kemi mundur të marrim ndoshta edhe më shumë, po të kishim pasur në momentet vendimtare atë fatin e futbollit”, vlerëson Nexhipi.

Klubi Ballkani është themeluar para 75 vjetësh. Që prej kthimit në Superligë, në vitin 2018, Ballkani ka synuar trofetë. Në radhët e veta ka pasur disa ndër futbollistët më të mirë në vend si dhe ka qenë i përforcuar rregullisht me lojtarë nga vende të tjera. Ka pasur edhe trajnerë të ndryshëm, por titullin e kërkuar në vitet e fundit, e fitoi nën drejtimin e tiranasit, Ilir Daja.

Daja vlerësohet shumë meritor që Ballkani kaloi në grupet e Ligës së Konferencës. Skuadra mori katër pikë në grupe, por bilanci i pikëve nuk dëshmon nivelin e paraqitjeve të Ballkanit. Ndonëse autsajder i plotë pas hedhjes së shortit, Ballkani ka luajtur rol të madh në grup dhe ka kërkuar thuajse deri në fund kalimin në fazën nokaut.

Rruga deri te titulli i parë dhe dalja në Evropë

Për Ilir Dajën është hera e dytë që drejton një skuadër shqiptare në fazën e grupeve të garave të UEFA-s. Ai drejtoi Skënderbeun e Korçës në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Daja tregon se cilat kanë qenë pritjet prej tij nga krerët e klubit. Ai mori drejtimin e Ballkanit në fillim të vitit 2022.

“Në momentin që kam marrë drejtimin e Ballkanit sigurisht që nuk është menduar Evropa. Por është menduar që objektivat e klubit kanë qenë madhore sepse ka qenë një ekip goxha i mirë i ndërtuar nga presidenti, qoftë në cilësi, qoftë edhe në futbollistë me karakter shumë të mirë. Ajo që kemi diskutuar, ka qenë që hap pas hapi të shikojmë se ku do të jemi në përfundim të kampionatit. Sigurisht se objektivat kanë qenë titulli kampion ose Kupa, por që normalisht nuk ishin arritur në asnjë moment dhe mund që të ndodhte edhe njëra dhe tjetra. Pra edhe mund të dilnim kampion, por edhe ndoshta nuk mundet të realizohej ky plan”, thotë Daja.

Daja tregon se jashtë fushës mbështetja e madhe nuk mungoi nga kryetari Arsim Kabashi. Afaristi Kabashi ka transformuar plotësisht Ballkanin dhe e ka shndërruar në një prej klubeve kryesore në vend.

Por, natyrisht lojtarët janë ata që në fushë kanë fjalën e fundit.

“Këta djem në asnjë moment nuk kanë pushuar, në asnjë moment nuk kanë kërkuar diçka ose të thonë se u lodhëm. Karakteri, ndoshta cilësitë e tyre të jashtëzakonshme, kanë bërë që ne të përballojmë edhe fitimin e titullit në Kosovë, edhe paraqitjet në grupet e Ligës së Konferencës, duke u ndeshur me kundërshtarë shumë të fortë dhe me shumë eksperiencë. Por asnjëherë nuk kemi qenë nën nivelin e tyre, por kemi qenë gjatë gjithë kohës në fushë të barabartë, duke luftuar ballëhapur, qoftë me aksione, qoftë me fitore, qoftë me ndonjë barazim, qoftë me lojë shumë të bukur”, vazhdon Ilir Daja.

Ai pranon se pritjet nga Ballkani janë rritur edhe më shumë pas suksesit.

“Tani kemi rritur pritshmëritë me vetë rezultatet që kemi arritur. Unë jam një individ që nuk është se më lidh shumë kontrata. Në momentin që klubi bën punën e vet dhe ne si staf bëjmë punën tonë, gjërat besoj se do të shkojnë mirë dhe nuk ka pse të mos ndodhë një gjë e tillë. Deri në këto momente e kemi pasur përkrahjen e drejtuesve dhe të presidentit gjatë gjithë kohës, të drejtorit sportiv, Nderimit, që e kemi gjatë gjithë kohës. Kemi raporte shumë të mira. Shpresojmë që këto raporte të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.

Qartë se ardhja e Dajës ngriti klubin në nivel tjetër. Por strukturat e klubit kanë funksionuar edhe më parë. Dhe gjithë organizimi solli suksesin e synuar nga gjenerata e gjenerata të klubit nga Suhareka.

Bashkëpunim me shtabin teknik për të arritur suksese edhe më të mëdha premton edhe drejtori Nexhipi.

“Për ne kryesore tani është që 90% të grupit e kemi. Atyre lojtarëve që u skadon kontrata, synojmë t’i mbajmë për sezonet e ardhshme. Ta mbajmë grupin dhe të marrim përforcimet të cilat mendojmë me stafin dhe trajnerin Daja. Në ato vende që duhet të ndërhyjmë, do të ndërhyjmë. Sa u përket ambicieve, për ne gjëja kryesore është ta mbajmë titullin kampion. E dimë se shumë më vështirë është ta mbrosh titullin, se sa ta fitosh. Nëse e kapim këtë në kontinuitet, atëherë besoj se kemi bërë punë të jashtëzakonshme. Pastaj në Evropë e pamë që mund të arrijmë grupin në një ngjarje siç ishte Liga e Konferencës”, ka thënë Nexhipi.

Ngjyra e veçantë e fanellës

Klubi suharekas në vitet e para të ekzistimit u paraqit me emrin Rinia dhe deri në vitin 1952 luajti vetëm ndeshje miqësore. Në vitin 1952 klubi kishte filluar të paraqitej në ndeshjet zyrtare, atëbotë në liga jo të larta të shtetit federativ.

Nga viti 1965 klubi njihet si Ballkani, kur menaxhimin e mori Industria Kimike dhe e Gomës “Ballkan” nga Suhareka.

Klubi me emrin e ri dhe organizimin e mirë për kohën, vendosi për fanellën e portokalltë duke u inspiruar nga Holanda e Johan Cruyffit. Por është dashur të kaloi periudhë shumë e gjatë që Ballkani të fitojë titull kampioni.

“Mendoj që gjithë ajo punë shumë e madhe që është bërë, gjithë angazhimi në këto tri apo katër vjet, ka dhënë frytet e veta këtë sezon. Ndoshta edhe çelësi i gjithë këtij suksesi është presidenti, që ka qenë këmbëngulës për t’i mbajtur gjithë ekipin, gjithë lojtarët, pas gjithë atyre dështimeve. Dhe mendoj që këtë vit ia kemi shpërblyer gjithë atë mund, gjithë atë sakrificë që e ka bërë”, thotë Armend Thaqi.

Gjasat nuk janë të mëdha që Thaqi ta vazhdoj karrierën në ndonjë klub evropian.

Por, këtë mundësi e ka Emërllahu. Ai thekson se mundësitë janë që lëvizja të ndodhë që në janar.

“E dimë që në Evropë po na pret një e ardhme e ndritur dhe shpresoj që në janar ose në verë të largohem jashtë shtetit, në ndonjë klub më të mirë”, thotë Emërllahu, që mbushi 20 vjet në dhjetor.

Emërllahu ka ëndërr që një ditë të luaj për një klub të madh në Ligën e Kampionëve. Paraqitja në Champions, në të ardhmen, është ëndërr edhe e drejtuesve të Ballkanit.

“Do të synojmë që çdo vit të bëjmë maksimumin ,të futemi në grupet e Ligës së Konferencës. Edhe Liga e Evropës ka shumë kualitet. Për Ligën e Kampionëve, normal fati është aty dhe duhet çdo herë ta kemi një qëllim të tillë. Sidoqoftë, unë mendoj që kjo që kemi bërë këtë vit në Ligën e Konferencës, duhet të jetë objektiv edhe në vitet e ardhshme dhe patjetër të tentojmë pastaj edhe Ligën e Evropës. Për Ligën e Kampionëve besoj që në pesë vjetët e ardhshëm nuk duhet të diskutohet”, ka thënë drejtori sportiv, Nderim Nexhipi.

Ballkani është në rrugë të mbarë për ta mbrojtur titullin e kampionit. Stinorin vjeshtor të edicionit 2022/2023 e mbylli në pozitën e dytë me pikë të njëjta me Dritën, ndonëse për kohë të gjatë fokusin e kishte në Evropë. Në pranverë do të jetë i fokusuar vetëm në garat vendore, me synim që kupa të tjera të shtohen në zyrën e vogël të klubit që tashmë po bëhet i madh.