Sport

Krasniqi merr zyrtarisht detyrën e kreut të KOK-ut

Besim Hasani ia ka dorëzuar të mërkurën edhe zyrtarisht detyrën e udhëheqjes së Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqit.

Hasani, që ka drejtuar KOK-un prej vitit 1996, e ka uruar presidentin e ri Krasniqi për marrjen e detyrës, duke i uruar suksese në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Hasani është shprehur i gatshëm ta japë kontributin e tij për KOK-un, nëse një gjë të tillë ia kërkon presidenti i ri, Ismet Krasniqi.

Krasniqi e rrëzoi Hasanin nga kreu i KOK-ut javën e kaluar, duke fituar besimin nga asamblistët në Asamblenë e Punës dhe Zgjedhore me 53 vota, ndërsa 41 kishte Hasani dhe 11 Linda Shala.

“Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese. Uroj që kujdesi dhe përkushtimi juaj të jetë maksimal. Stafin që është këtu e kam lutur që të angazhohet edhe më shumë se sa me mua, vetëm e vetëm që kjo foshnje (KOK-u) gjashtë-vjeçare të rritet shëndetshëm dhe të bëhet i fuqishëm”, ka thënë ish-presidenti Hasani, i cili shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij për KOK-un, sa herë që t’i kërkohet.

Ndërkohë, presidenti i ri i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i ka vlerësuar fjalët e Hasanit, ndërsa është zotuar se do ta bëjë maksimumin për ta ngritur edhe më shumë Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Këto fjalë që mi thatë nuk do t’i harrojë kurrë dhe u premtoj se do të japim maksimumin për t’i mbajtur. Është e vërtetë që Komiteti Olimpik i Kosovës është një foshnje, por ne do të angazhohemi për ta rritur dhe për ta zhvilluar edhe më shumë”, ka thënë Krasniqi.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni.