Sport

Krasniqi e synon edhe me Dritën rrethin e tretë të Ligës së Konferencës

Mbrojtësi i krahut të djathtë te Drita, Besnik Krasniqi, synon që të luajë sërish në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës. Drita ka marrë barazim të rëndësishëm në ndeshjen e parë ndaj Antwerpit, duke luajtur baras 0:0. Barazimi u jep shpresa të mëdha gjilanasve që të “luftojnë” për të kaluar tutje në garën e tretë për nga niveli të UEFA-s. Krasniqi u paraqit me Prishtinën në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës në edicioni e kaluar (2021/2022).

Prishtina e kishte mposhtur Bodo/Glimtin në “Fadil Vokrri” 2:1, por humbja 2:0 në ndeshjen e dytë, bëri që të eliminohet. Krasniqi ka përvojë të madhe në futbollin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, ku ka veshur fanellat e disa klubeve të mëdha. Ndërkaq, në garat evropiane ka dhjetë paraqitje, ku ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim në turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve në kohën sa veshte fanellën e Prishtinës.

Për mbrojtësin nga Prishtina, kalimi në rrethin e tretë është synim i tij dhe i klubit. Ai tha për KOHËN të dielën se faza e grupeve do të ishte diçka e madhe për të dhe Dritën. Krasniqi ka theksuar se kanë zhvilluar një ndeshje të mirë në duelin e parë në Antwerp. Sipas tij, me pak fat kanë mundur edhe të realizojnë ndaj ekipit belg.

“Kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke e ditur se çfarë kundërshtari kemi edhe nga gabimi më i vogël mundesh me u ndëshkuar. Por, mendoj se kemi kryer detyrat mjaft mirë, kemi pasur edhe raste të shënojmë”, deklaroi Krasniqi.

Drita do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të enjten prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Krasniqi e pranon se Dritën e pret ndeshje e vështirë. Por, ai beson se me seriozitet të lartë dhe ndihmën e shikuesve, mund t’ia dalin.

“Nuk duhet të jemi të kënaqur, pasi na pret një ndeshje shumë e fortë në Prishtinë. Mendoj se me ndihmën e shikuesve dhe me një përgatitje ende më të mirë sesa në ndeshjen e parë të kalojmë tutje”, tha Krasniqi.

Drita po merr pjesë në Ligën e Konferencës për herë të dytë. Kësaj radhe si nënkampione e Kosovës. Ndërkaq, në garat evropiane në përgjithësi është sezoni i katërt në pesë vjetët e fundit që Drita merr pjesë. Garat në Ligën e Konferencës këtë verë Drita i ka nisur nga raundi i parë ku eliminoi Inter Turkun. Humbi 1:0 në Turku, por ia doli që të rikthehet fuqishëm, duke e mposhtur ekipin nga Finlanda 3:0 për të siguruar rrethin e dytë. Vitin e kaluar ishte ndalur në rrethin e dytë, fazë ku është edhe aktualisht duke u paraqitur. Edhe në verën e vitit 2021 “Intelektualët” patën kundërshtarë të nivelit të lartë.

U përballën me Feyenoordin. Barazuan në Prishtinë 0:0, por humbën në duelin e kthimit 3:2 për t’u eliminuar. Paraqitja e ekipit kosovar u vlerësua shumë pozitive. Suksesin më të madh në Evropë e ka arritur në Ligën e Evropës në sezonin 2020/2021. Kishte shkuar deri në rrethin e tretë të kësaj gare. Ishte eliminuar nga Legia e Varshavës 2:0.