Prishtinë, 27 dhjetor – Sportistët e Kosovës kishin goxha plane për këtë vit. Synimi i yjeve ishte që nga Lojërat Olimpike të ktheheshin edhe me ndonjë medalje. Por pandemia e koronavirusit ua prishi planet. Atyre, megjithatë, nuk u kanë munguar sukseset.
Me plot sukses, ndonëse me shumë telashe shkaku i COVID-19, vitin 2020 e mbylli xhudistja Distria Krasniqi. Ajo të dielën u shpall sportistja më e mirë e vitit e Grupit KOHA. Për Krasniqin është hera e parë që e fiton këtë çmim nga KOHA.
Një tjetër sportist që shquhet për punë e vullnet ka fituar çmimin e sportistit më të mirë të vitit 2020 në Kosovë. Bëhet fjalë për futbollistin e Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani.
Ndonëse pa ceremoni të zakonshme, Krasniqi e Rrahmani morën çmimet kryesore në edicionin e 22-të të manifestimi “Sportisti i Vitit” të Grupit KOHA
KOHA, përkatësisht gazeta “Koha Ditore”, ka shpërblyer sportistin më të mirë për herë të parë në vitin 1997. Dhe, qëllimi ishte që të shpërbleheshin për mundin e tyre sportistë si Krasniqi e Rrahmani, sportistë që japin shumë mund për të dalë në piedestal, për të prezantuar veten, skuadrën, por edhe shtetin.
KOHA i është përmbajtur idesë për të shpërblyer sportistët që punojnë shumë, ndërsa ceremonia e saj tashmë vlerësohet si matësi më i mirë për sukseset e arritura nga njerëzit e sportit gjatë viteve.
Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar të artën në Grand Slamin e Parisit, më 8 shkurt. Gara e Parisit vlerësohet më e famshmja e xhudos. Më 23 tetor fitoi të artën edhe në Grand Slamin e Budapestit. Ndërkohë, më 19 nëntor fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për seniorë. Fitoi në luftën e parë ndaj Aisha Gurbanli të Azerbajxhanit. Më pas e mposhti francezja Shirine Boukli, kurse në luftën e tretë e mundi rusen Irina Dolgova. Për medalje të bronztë fitoi ndaj francezes Melanie Clement. Garoi në kategorinë deri 48 kilogramë. Distria Krasniqi është e para në ranglistën olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë.
“Edhe pse ka qenë një vit i vështirë jo vetëm për mua, por për të gjithë sportistët, në të gjitha garat që kam shkuar, jam kthyer me medalje. Kam filluar shumë mirë me Grand Slamin e Parisit, ku kam bërë gara në një kategori tjetër dhe kam marrë medaljen e artë. Pastaj ka qenë më vështirë pasi ishim të mbyllur, por stërvitjet nuk janë ndalur. Jam përgatitur dhe kam marrë medalje në Grand Slamin e Budapestit, ndërsa tash së fundmi në Kampionatin e Evropës”, ka thënë Krasniqi.
Kuka vazhdon me çmime
Trajneri i Krasniqit, Driton Kuka, është shpallur punëtor sportiv i vitit.
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Kosovës në vitin 2020 kishte një lider në fushë – Amir Rrahmanin. Mbrojtësi i Kosovës gjatë këtij viti i luajti 20 ndeshje në Serie A me Veronën. Në janar firmosi me Napolin, por mbeti te Verona si huazim. Te Verona ka shfaqur stabilitet në mbrojtje. Por te Napoli nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare. Së fundmi ka pasur telashe me lëndime dhe me koronavirus. Për edicionin e kaluar ishte mbrojtësi me më së shumti ndërhyrje të sakta në Serie A. Për Kosovën i ka luajtur pesë ndeshje këtë vit, kurse Përfaqësuesja nuk është shquar me rezultate pozitive.
“Faleminderit shumë. Jam shumë i privilegjuar për këtë çmim që ma keni dhënë. E di që nuk është lehtë, sepse ka shumë lojtarë në Evropë që luajnë, shokë të mi, bashkëlojtarë të mi, dhe po ndihem shumë i privilegjuar dhe i veçantë për këtë arritje. Falënderoj gjithë jurinë që më ka votuar dhe shpresoj që edhe në vitet e tjera të bëjmë lojëra më të mira dhe shpresoj që të bëjmë sa më mirë vitet e ardhshme”, ka thënë Rrahmani.
Te klubet, më i miri i meshkujve është shpallur Drita (futboll), që fitoi titullin e kampionit, ndërsa te femrat klubi më i mirë u shpall ai i hendbollit, Istogu. Istogu ka mbetur pa trofe këtë edicion, por ishte skuadra e vetme e femrave me fitore në arenën ndërkombëtare. Në raundin e dytë të Kupës Evropiane e eliminoi Vushtrrinë. Në raundin e tretë të Kupës Evropiane, Istogu u përball me skuadrën bjelloruse Victoria-Berestie. Ndeshjen e parë e fitoi 33:30, por të dytën e humbi 32:28 dhe nuk mundi të avancojë tutje.
“Faleminderit shumë për vlerësimin profesional të Grupit KOHA. Ishte një vit i mrekullueshëm gjatë pandemisë. Më meritorët për këtë sukses normalisht që janë lojtarët dhe gjithë stafi i Dritës. Shpresojmë që në vitin e ardhshëm të jemi edhe më të fortë. Faleminderit shumë”, ka thënë zyrtari i Dritës, Ilaz Shkodra.
KOHA nderon kryetarin e parë të FFK-së
Mirënjohja “Post Mortem” i është ndarë kryetarit të parë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Bytyçi, që vlerësohet se ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e futbollit.
Xhudoja ka merituar një çmim edhe te të rinjtë. Laura Fazliu edhe këtë vit është shpallur sportistja më e mirë e re e vitit. Si Fazliu, për herë të dytë fitoi edhe atleti Muhamet Ramadani. Ramadanit i takoi çmimi “Sportisti më i mirë i ri i vitit”.
“Pas gjithë kësaj situate që kemi pasur në kohën e pandemisë, ne kemi ushtruar vazhdimisht. Medaljet kanë qenë sukses për mua, edhe pse kam pritur që të bëhem kampione e Evropës, por fati nuk e deshi që medalja e artë të vijë tek unë. Shpresoj që të vazhdoj kështu me suksese sa më të mira. Caku im për vitin tjetër është që të punoj sa më shumë, pse jo edhe ta fitoj normën Olimpike që t’i bashkëngjitem edhe unë ekipit olimpik”, ka thënë Fazliu.
Fazliu ka fituar dy medalje nga kampionatet evropiane të këtij viti në xhudo.
Falënderues është shprehur edhe Ramadani. Ai ka falënderuar Grupin KOHA dhe ka premtuar suksese edhe në vitin tjetër. Gjatë vitit 2020, Ramadani ka fituar dy medalje të arta në kampionatet ballkanike në grupmoshën U20.
Më 9 shkurt në Kampionatin e Katërt Ballkanik të atletikës në palestër, fitoi në disiplinën e hedhjes së gjyles me rezultat 19.20 metra.
Grupi KOHA ka formuar çmimin “Majlinda Kelmendi” për kontributin e saj për vendin dhe për arritjet në sport. Për këtë vit KOHA ka vendosur që çmimi “Majlinda Kelmendi” t’i jepet Enis Xhemailit për inspirim në sport. Njëjtë si Majlinda, Enisi i frymëzon të rinjtë që të merren me sport.
Mirënjohjet për vepër jetësore KOHA vendosi t’ua ndajë dy doajenëve të gazetarisë sportive, Gani Kosumit dhe Xhavit Kajtazit.
Ndonëse në pandemi, KOHA vendosi të shpallë më të mirët e vitit në sport. Kështu, tradita më e gjatë e shpalljes së më të mirëve të vitit vazhdon.
*************
Fituesit e vitit 2020
Sportistja më e mirë e re e vitit
Laura Fazliu (xhudo)
Sportisti më i mirë i ri i vitit
Muhamet Ramadani (atletikë)
Post Mortem
Agim Bytyçi
Çmimi “Majlinda Kelmendi”
Enis Xhemaili
Klubi më i mirë i vitit – femrat
Istogu (hendboll)
Klubi më i mirë i vitit - meshkujt
Drita (futboll)
Mirënjohje për vepër jetësore
Gani Kosumi
Xhavit Kajtazi
Punëtori Sportiv i vitit
Driton Kuka
Sportisti më i mirë i vitit
Amir Rrahmani (futboll)
Sportistja më e mirë e vitit
Distria Krasniqi (xhudo)
*****
Fituesit e deritashëm
1997 - Zijadin Kryeziu
2000 - Besnik Hasi
2001 - Kushtrim Munishi
2002 - Luan Krasniqi
2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi
2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku
2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi
2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani
2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi
2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi
2009 - Majlinda Kelmendi
2010 - Majlinda Kelmendi
2011 - Majlinda Kelmendi
2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi
2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci
2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova
2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi
2020 – Distria Krasniqi – Amir Rrahmani