Sport

Krasniqi e Gjakova synojnë të tjera medalje evropiane, ndonëse shorti nuk i favorizon shumë

Prej së premtes e deri të dielën në Sofje të Bullgarisë mbahet Kampionati Evropian i xhudos. Është ngjarja e dytë më e rëndësishme e vitit në xhudo, pas Botërorit. Ndonëse me ekip të përgjysmuar, Kosova synon medalje në Evropianin e këtij viti.

Vjet Kosova ishte vendi më i suksesshëm në Evropian, falë të artave të Distria Krasniqit dhe Akil Gjakovës, si dhe medaljes së bronztë të Nora Gjakovës. Nora nuk garon në Sofje për shkak të një lëndimi, ndërsa këtë garë e ka lëshuar edhe Loriana Kuka, një tjetër adut për medalje.

Trajneri Driton Kuka ka përzgjedhur Distria Krasniqin, Akil Gjakovën, Laura Fazliun dhe Flaka Loxhën.

Të premten, në ditën e parë të garave, paraqiten Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Distria vjet fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, por pas Lojërave të Tokios ndryshoi kategorinë. Dhe kjo ka bërë që Distria të jetë vetëm bartësja e tetë.

Shorti i së enjtes nuk e ka favorizuar shumë Distrinë. Në luftën e parë ajo nuk pritet të ketë telashe me bullgaren Gabriela Dimitrova. Dhe menjëherë në luftën e dytë, Distria duhet të përballet me francezen Amandine Buchard, garuesen kryesore aktualisht në kategorinë deri 52 kg. Buchard është e para në ranglistën botërore dhe bartësja e parë në Evropian. Nga Buchardi, Distria ka humbur luftën e kaluar, që ishte e vetmja mes këtyre dy xhudisteve. Humbi në finale të Grand Slamit të Parisit, më 5 shkurt. Por, Distria shfaqi shumë në atë luftë dhe ishte pranë fitores. Një tjetër luftë e fortë pritet në Sofje, ndërsa gjasat e Distrisë për sukses këtë herë janë edhe më të mëdha.

Do të jetë një finale para finales në kategorinë deri në 52 kg.

Flaka Loxha fillimisht do të takohet me bullgaren Snezhana Gramatikova. Nëse ec mirë, rruga mund t’i kryqëzohet me portugezen me përvojë, Telma Monteiro. Nëse Flaka zë vend në mesin e tetë më të mirave, atëherë rezultati i saj do të cilësohej i suksesshëm.

Të shtunën garojnë Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë dhe Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kg.

Akili është bartës i pestë në kategorinë ku vjet u shpall kampion. Por herët mund të përballet me bartësin e katërt, izraelitin Tohar Butbul. Këtë xhudist vjet e kishte mposhtur në finale të Evropianit. Fillimisht Akili takohet me armenin Arsen Avedisyan.

Laura Fazliu në luftën e parë përballet me izraeliten Kerem Primo. Laura, njëjtë si Flaka, synon shpërthimin në skenën e të rriturave.

“Distria e Akili kanë gjasa të hyjnë në zonën e medaljeve. Për Flaka Loxhën e Laura Fazliun të shohim. Pa Norën e Lorianën dhe me Distrinë në kategori tjetër, mund të them që ekipi është i përgjysmuar. Laura ka potencial, por taktikisht nuk është ende në nivel. Po punojmë në këtë drejtim. Flaka varet nga shorti. Në kategorinë deri në 57 kilogramë janë disa garuese super të forta. Do të ishte sukses nëse hyn në tetë më të mirat”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, para udhëtimit për në Sofje.

Në Evropian paraqiten 361 xhudistë nga 40 shtete të ndryshme.